Rregullorja e Kuvendit, Konjufca mund të dorëhiqet ose shkarkohet nga pozita e kryetarit

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse i zgjedhur një muaj më parë në pozitën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, nuk pritet të jetë më në këtë detyrë.

Kjo pasi që partia e tij, VV-ja ka lëshuar pe kundrejt kërkesës së partnerit të tij qeverisës, Lidhjes Demokratike e Kosovës e cila e ka kërkuar këtë pozitë si kusht për nënshkrimin e koalicionit qeverisës.

VV-ja dhe LDK-ja sot kanë bërë të ditur se e kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje.

I mandatuari për kryeministër, Albin Kurti tha se Glauk Konjufca nuk do të jap dorëheqje, por se do të kalojë në një post qeveritar.

Edhe pse pyetej vazhdimisht nga gazetarët Kurti, mohonte se Konjufca do të dorëhiqet nga kjo pozitë.

Ndërkaq, sipas Rregullore së Punës së Kuvendit të Kosovës, është e përcaktuar edhe dorëheqja ose shkarkimi i  kryetarit të Kuvendit.

Në pikën 3 të nenit 14 [Mandati i Kryesisë], thuhet se Kryetari i Kuvendit mund t’ia paraqesë dorëheqjen Kuvendit.

“Aktin e dorëheqjes me shkrim ia dorëzon paraprakisht Kryesisë së Kuvendit. Pas miratimit të dorëheqjes, partia politike ose koalicioni, që e ka emëruar Kryetarin e mëparshëm të Kuvendit propozon kandidat të ri për kryetar”, thuhet në këtë pikë.

Ndërkaq në pikën 5 të po të njëjtit nen thuhet se “Shkarkimi i Kryetarit ose i anëtarit të Kryesisë së Kuvendit, me propozim të partisë politike ose të grupit, që e ka propozuar, bëhet sipas procedurës së zgjedhjes së tyre”.

Në anën tjetër, analisti politik Blerim Vela ka dhënë një tjetër interpretim për situatën e krijuar.

Vela ka thënë se Glauk Konjufcës me zgjedhjen si ministër i përfundon mandati si deputet.

“Për rrjedhojë, nuk ka nevojë që të jap dorëheqje nga pozita e kryeparlamentarit. Ajo pozitë duke qenë se mbetet e lirë thjeshtë plotësohet pas zgjedhjes së Qeverisë së re. Zgjidhje elegante nga LVV dhe LDK – kur ekziston vullneti dhe mirëbesimi, gjenden edhe zgjidhjet adekuate”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.

Glauk Konjufca, në seancën konstituive të 26 dhjetorit 2019, ishte propozuar për kryetar të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi paraprakisht nuk kishin arritur marrëveshje me LDK-në.

Pas këtyre zhvillimeve, LDK-ja ka insistuar që ta ketë këtë pozitë, ashtu siç ishin marr vesh para 26 dhjetorit, megjithëse atë kohë për ta bërë marrëveshjen i ndalte pozita e presidentit, për të cilën LDK kërkonte ta kishte të drejtën për propozimin e emrin.

Ndërsa LDK nuk do ta ketë ekskluzivisht pozitën e Presidentit. Për këtë, palët do të flasin atëherë kur të përfundon mandati i presidentit aktual Hashim Thaçi, në prill të 2021.

Kurse, pak ditë më parë, kur ishte pyetur se çfarë mendon për kërkesat për dorëheqjen e tij, Konjufca kishte thënë se sipas tij nuk është koha e dorëheqjeve por e emërimeve.

“Unë nuk mendoj se në Kosovë është koha e dorëheqjeve. Unë mendoj që është koha e emërimeve”, pati thënë shkurt kryeparlamentari.

VIDEO- Konjufca komenton kërkesat për dorëheqjen e tij