Policia në Shqipëri arreston dy persona, shisnin kokainë në dyqan floktarie

Policia e Shqipërisë ka arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar për shitje të kokainës në qytetin e Kavajës.

Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit bënin shitjen e dozave të kokainës në një berberhane në lagjen numër 6.

Në njoftim u tha se gjatë operacionit policor është sekuestruar një sasi kokaine, e ndarë në doza, gati për shitje.

Po ashtu gjatë veprimeve hetimore u sekuestrua edhe një peshore elektronike dhe katër telefona.

“Pas një hetimi të kryer nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, në kuadër të megaoperacionit kombëtar antidrogë të koduar ‘Tempulli’, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit Xh.Ll., 28 vjeç dhe M.S., 28 vjeç, të dy banues në Kavajë” – tha Policia e Shtetit.

Tutje u tha se në berberhane në pronësi të shtetasit Xh.Ll., shërbimet e Policisë gjetën një sasi kokaine, të ndarë në dhjetëra doza me qëllim shitjen.

Policia shpjegoi se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.