Policia jep detaje rreth sulmit ndaj tre burrave serb në Graçanicë

Në fshatin Gushtericë të komunës së  Graçanicës, tre burra serb dyshohet se janë sulmuar nga katër burra të tjerë rom.

Sipas raportit të policisë, viktimat kanë pranuar tretman mjekësor në spitalin e Graçanicës.

Policia ka njoftuar se të dyshuarit gjenden në arrati ndërsa rasti është nën hetime nga njësitet relevante policore.

Rreth këtij rasti, dje ka reaguar edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Sipas reagimit të OSBE, incidentet e tilla prishin marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me faktorët institucional dhe shoqëror.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë shpreh shqetësime për sulmin fizik ndaj tre serbëve të Kosovës në Gushtericë e Ulët, komuna e Graçanicës, më 31 maj. Ekipet në terren të OSBE-së janë informuar se tre serbët e Kosovës ishin në pronën e tyre kur u sulmuan nga një grup burrash që përdorën shufra metalike. Ekipet në terren të OSBE-së janë informuar se Policia e Kosovës po heton në mënyrë aktive rastin, duke ndjekur rezultate të rëndësishme. Ne e lavdërojmë policinë për këtë reagim me shpresën për një përfundim të shpejtë. Cilado qoftë motivet, këto incidente prishin marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të gjithë faktorët institucional dhe shoqëror duhet të veprojnë për t’i adresuar ato”, thuhet në reagimin e OSBE-së.