Policia e Kosovës konfiskon 40 kilogramë drogë, arrestohet i dyshuari

Policia e Kosovës njofton se ka konfiskuar 40 kilogramë lëndë narkotikë dhe ka arrestuar një të dyshuar.

Polica bëri të ditur që personi i dyshuar është intervistuar dhe me aktvendim nga prokurori është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Sipas Policisë, lënda narkotike dyshohet të jetë marihuanë.

Policia njofton që substanca narkotike ishte e ndarë në 40 paketime të mbështjella me qese plastike.

Vlera e kësaj sasie sillet rreth 80 mijë euro dhe dyshohet se Kosova ishte vend transit i kësaj sasie, kurse destinacion final ishin vendet e Perëndimit.

“Sot, më 05.01.2023, rreth orës 17:08, është arritur të lokalizohet dhe identifikohet një i dyshuar i përfshirë në veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’. Hetuesit policorë, në koordinim me organet e drejtësisë kanë realizuar Planin Operativ ‘Mjegulla’, gjatë realizimit të së cilit, në flagrancë është arrestuar i dyshuari: N.B., (viti i lindjes 1986, mashkull kosovar), i cili po transportonte me një veturë me targa vendore, substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuana”- thuhet në njoftim.