Policia arrestoi 15 persona për vatrat e zjarrit që kërcënojnë vendin

Ndërsa Shqipëria po lufton me vështirësi me vatrat e zjarrit nga jugu në veri, Policia e Shtetit deklaroi se ka arrestuar 15 persona dhe po procedon në gjendje të lirë 16 të tjerë në dy javët e fundit.

Policia e Shtetit njoftoi të martën se kishte arrestuar 15 persona dhe kishte proceduar penalisht 16 të tjerë për veprën penale të zjarrvënies në dy javët e fundit; periudhë kjo që e përballi vendin me dhjetëra vatra zjarri nga jugu në veri dhe me rrezikun e djegies së mijëra hektarëve pyje dhe kullota. Dy zjarrvënës të tjerë të dyshuar janë shpallur në kërkim.

Drejtori i Rendit Publik, Ylli Vasili tha në një deklaratë për mediat se policia po vazhdonte punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënieve në pyje dhe kullota.

“Policia e Shtetit është e vendosur për të çuar para drejtësisë të gjithë ata persona që me dashje apo nga pakujdesia djegin pyjet, sipërfaqet kullosore apo pronat private,” tha Vasili.

Prej mesit të korrikut, Shqipëria gjendet në emergjencë dhe po lufton me vështirësi me vatrat e mëdha të zjarrit, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e një 64-vjeçari në Gjirokastër dhe plagosjen e dy personave.  Një bilanc i plotë i dëmeve të shkaktuara nga flakët është ende i paqartë.

Sipas njoftimit të policisë, numri më i madh i të arrestuarve për zjarrvënie i përket qarkut të Vlorës me 7 arrestime për djegien e sipërfaqeve të tokës në Tragjas, Gjorm, Karaburun, Radhimë e Sarandë  dhe 2 të proceduar në Himarë për zjarrvënie në sipërfaqet e pyllëzuara në Pilur dhe Fterr.

Drejtoria e Policisë së Fierit ka arrestuar 4 shtetas dhe ka proceduar në gjendje të lirë 3 të tjerë për zjarrvënie në pyjet e fshatrave Gjorgoz dhe Kreshpan, në Fermë Çlirim si dhe në fshatin Çorrush të Mallakastrës. Për zjarrin në kodrat e Karbunarës po procedohen në gjendje të lirë dy persona.

Për zjarret e rrezikshme në Gjirokastër, që shkaktuan edhe viktimën e parë në vend, policia ka proceduar penalisht 5 persona. Në Kukës është arrestuar një person për zjarrvënie në malin e Gjallicës  dhe një tjetër është arrestuar në Mirditë për djegien e një sipërfaqe pylli në fshatin Simon.

Policitë e Durrësit dhe Elbasanit kanë arrestuar nga një person për djegie të sipërfaqeve të tokës, ndërsa në Korçë është proceduar në gjendje të lirë një person për djegien e 3 dynymëve pyje në fshatin Baçallëk të Pogradecit. reporter.al