Polemika pasi deputeti e krahasoi karantinën në Qendrën e Studentëve me kampin e Aushvicit (VIDEO)

Në komisionin hetimor parlamentar për menaxhimin e pandemisë ku po raportonte Valdet Hashani ish menaxhues i kësaj qendre pati disa polemika pasi deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu e krahasoi atë me kampin e Aushvicit.

Haxhiu tha se njerëzit janë internuar në mënyrë politike si në Aushvic si dhe kritikoi vendimmarrjen për lirim nga karantina.

“Vendimi për lirim nga karantina është dashur të jetë prej ekipit mjekësor dhe prej menaxhuesit e jo nga niveli politik. Njerëzit aty janë internuar si në Aushvic, në mënyrë politike”, ka thënë Haxhiu.

Lidhur me këtë deklaratë ka reaguar kryesuesja e këtij Komisioni, Mimoza Kusari Lila, e cila tha duhet pasur kujdes kur bëhen këto kategorizime sepse aty njerëzit janë dërguar për t’u vrarë.

“Duhet të keni kujdes në përdorimin e kualifikimeve të Luftës së Dytë Botërore sepse aty njerëzit kanë shkuar për t’u vrarë, e kemi një rast të vdekjes siç po zbërthehet gradualisht. Kualifikimi dhe kategorizimi të cilat ndjellin çështje të luftërave dhe vrasjeve masive është gabim, kjo është diçka tjetër,” ka thënë Kusari-Lila.

Agon Musliu, një i ri nga Gjilani, ka vdekur në rrethana ende të pasqaruara më 3 maj të këtij viti, një ditë pasi ishte vendosur në karantinë pasi ishte kthyer nga Gjermania.