ILUSTRIM: Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com

Pesë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit.

Dy raste janë regjistruar në Prishtinë, një në Graqanicë, një në Prizren dhe një rast në Malishevë.

Në Graçanicë është arrestuar një burrë i dyshuar për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Rasti raportohet se ka ndodhur dy ditë më parë.

Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ka njoftuar Policia.

Në Prishtinë një grua ka raportuar se një burrë ka ushtruar dhunë ndaj saj.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 11:55.

Policia ka njoftuar se në lidhje me rastin janë ndërmarr të gjitha veprimet hetimore dhe në konsultim me prokurorin kujdestar rasti iniciohet si i tillë.

Një tjetër burrë është arrestuar në Prishtinë pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur dje rreth orës 13:00.

I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt, ka njoftuar Policia.

Ndërsa në Prizren një Policia ka arrestuar një burrë të dyshuar për sulm ndaj një gruaje.

Policia ka njoftuar rasti ka ndodhur dje rreth orës 22:40.

Tutje në njoftimin e Policisë, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Malishevë është arrestuar një burrë pasi dyshohet për dhunë në familje. Sipas Policisë, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 15:30.

Ndërsa, Policia ka njoftuar se lidhur me një rast të dhunës të raportuar më datë 24 nëntor 2022  është arrestuar i dyshuari.

I njëjti, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.