Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Përplasje mes ministres Albulena Haxhiu dhe deputetes Doarsa Kica-Xhelili për Kodin e Procedurës Penale

Shqyrtimi i plotësim-ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale ka ngjallur diskutime mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetes së LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.

Kjo pasi deputetja Kica-Xhelili tha se si LDK nuk japin pozicion në lidhje me Projektligjin.

“Si LDK ne nuk mund të japim sot pozicion në lidhje me Kodin e Procedurës Penale sepse vlerësojmë se nuk mund të lejojmë që në emër të mbrojtjes së viktimave të rrezikojmë t’i lëndojmë ato. Ky projektkod duhet patjetër duhet të shkojë për shqyrtim në Komisionin e Venecias para se ne ta votojmë në këtë Kuvend”- u shpreh Kica-Xhelili.

Ministrja Haxhiu në replikë tha se ka pritur që të ketë unifikim përballë rasteve të dhunës në familje.

“Kam pritë që të kemi unifikim, përballë rasteve të dhunës në familje. Përballë një fenomeni që ka pasoja të rënda, qoftë te gratë, vajzat e fëmijët. Prandaj lejani avokatëve të mbrojnë dhunuesin, është detyra e tyre. Ti ma shumë fol qysh me mbrojtë dhunuesin sesa viktimën”- tha Haxhiu.

“Mos manipulo të lutem! Si grua dhe si nënë është dashur të jemi bashkë në këtë betejë”- shtoi ajo.

Me pas, deputetja Kica- Xhelili tha se për ministren është e rëndësishme që projektkodin ta sjellë në Kuvend dhe se “pastaj të thoni tash bëni çka të doni”.

“Për ju është rëndësishme ta bini në Kuvend një ligj dhe të thoni tash bëni çka të doni. Kjo është e rëndësishme për ju. Për mua është e rëndësishme që ai të zbatohet”- deklaroi deputetja e LDK-së.

“Dil më thuaj që ti si ministre e Drejtësisë mund të ju ofrosh garancion viktimave që ajo dispozitë e paraburgimit do të jetë e zbatueshme. Kur të dalësh me u përgjigj në pyetje sepse nuk të takon moralizimi”- tha mes tjerash Kica-Xhelili.

Një kundër-replikë erdhi përsëri nga ministrja e Drejtësisë, e cila iu drejtua deputetes së LDK-së me fjalët: “Nuk mund të ju marr seriozisht”.

“Kam probleme me njerëzit që sapo ndryshojnë karrigen, e ndryshojnë gjuhën. Nuk mundem me të marrë seriozisht Doarsë. Je vetëm farsë”- u shpreh Haxhiu.

Projektligji për plotësim ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale u miratua në parim me përkrahjen e 63 deputetëve.