
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Përparim Rama arsyeton shfuqizimin e planit rregullues për lagjen “Kalabria”
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka shpjeguar arsyen që sipas tij, qëndron pas shfuqizimit të vendimit të planit rregullues në lagjen “Kalabria”.
Rama ka shkruar se anulimi i vendimit për Miratimin e Planit Rregullues të Hollësishëm për Lagjen “Kalabria”’, ka ardhur si rezultat i vlerësimit negativ të ligjshmërisë ana e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
“Për hir të korrektësisë dhe informimit të drejtë të qytetarëve të Prishtinës, e ndjej të nevojshme të sqaroj se Anulimi i ‘Vendimit për Miratimin e Planit Rregullues të Hollësishëm për Lagjen “KALABRIA”’ vjen si rezultat i vlerësimit negativ të ligjshmërisë së PRRH-së nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në bazë të të cilit Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal na obligon ligjërisht për zbatimin e këtij procesi”, ka shkruar Rama.
Mes tensionesh e diskutimeve, Kuvendi Komunal i Prishtinës votoi për shfuqizimin e vendimit të planit të hollësishëm rregullues për lagjen Kalabria, në mbledhjen e dytë që është duke u mbajtur.
Asamblistët opozitarë nuk kanë marrë pjesë fare në dy votimet.
Një qytetar nga lagja ‘Kalabria’ që ndodhet në sallën e kuvendin komunal u shpreh i revoltuar nga ky votim, duke u shprehur se “ky votim është kontrabanduar”.