
Lagjja "Arbëria" - Foto: KALLXO.com, 24.03.2025
Prishtinë, shkallët që i vendosi një qytetar po u shërbejnë të tjerëve të kalojnë sigurt në lagjen "Arbëria"
Një qytetar ka ndërtuar një palë shkallë që u mundësojnë qytetarëve të kalojnë më lehtë dhe më shpejt nga qendra e Prishtinës në njërën pjesë të lagjes “Arbëria”.
E ky gjest i qytetarit po përshëndetet nga qytetarët që jetojnë dhe punojnë në këtë pjesë të lagjes, por edhe nga zyrtarë të Komunës.
Shkallët e thjeshta janë ndërtuar në pjesën ku Komuna ka paraparë ndërtimin e “ishullit urban”, i cili do të lidhte qendën e qytetit me lagjen “Arbëria”.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte përuruar nisjen e punimeve për ndërtimin e “ishullit urban” më 06.11.2024.
Mirëpo, punimet në këtë projekt janë ndaluar dhe kryetari Rama në janar 2025 kishte fajësuar institucionet e nivelit qendror për zvarritjen e tyre.
Ellma Fazlijeviq, një qytetare, tha për KALLXO.com se ka tre muaj që e përshkon këtë rrugë dhe të hënën, më 24.03.2025, ishte hera e parë që i pa shkallët e vendosura.
“Po m’doket që kanë me na lehtu punën… Çka me thanë? A po ju doken këto shkallë të mjaftueshme?… Nuk mjaftojnë këto shkallë” – tha Fazlijeviq.
Qytetarja e krahasoi me pjesën në afërsi të kësaj rruge, ku edhe ndodhet hekurudha, e cila sipas saj është e ndërtuar dhe njëlloj duhet të ndërtohet e tëra. Ajo ka treguar një eksperiencë të saj derisa ka kaluar në rrugën ku nuk kanë qenë shkallët e vendosura.
“Po, një ditë jam rrëzu, unë u rrëzova. Jo, jo nuk ka qenë lëndim i rëndë po thjesht ka mund me qenë” – ka thënë Fazlijeviq.
Kurse, Donat Lushaku, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, në një deklaratë për KALLXO.com ka thënë se projekti i “ishullit urban” u dedikohet kryesisht këmbësorëve, pa pasur nevojë që më pas të bllokohet trafiku.
Lushaku ka treguar se ndalja e punimeve të këtij projekti është bërë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. E vendosjen e shkallëve nga qytetari, ai e ka duartrokitur.
“Kjo është për t’u duartrokitur në njëfarë forme edhe për me falenderu një qytetar kaq të ndërgjegjshëm e kaq, me quajtë demokratik e të përgjegjshëm, e që në rastin konkret na ka parapri në kuptimin e një mundësie të kalimit. Jo që Komuna nuk ka mundur të reagojë, por e kemi të ndaluar në atë pjesë të marrim veprime sepse sipas Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, çdo ndërhyrje në atë pjesë nënkupton që është vepër penale, përderisa nuk kemi një vendim pozitiv për të vazhdu me projektin” – ka deklaruar Lushaku.
“Ka qenë një prej projekteve, premtimeve, të kryetarit Rama, që e kemi realizu deri tek zbatimi. D.m.th. janë kry të gjitha projektet, është shpallë fituesi, kemi bë përurimin e fillimit të punimeve, pastaj është ndalë me idenë që nuk e kemi një leje të tillë, është sikurse rasti i sheshit ‘Xhorxh Bush'” – ka shtuar ai.
Lushaku ka thënë se kanë aplikuar për të marrë leje nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore.
“Ne kemi aplikuar për lejen pastaj, por e njëjta është refuzuar nga shkalla e parë apo Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, tashmë jemi në pritje të vendimit të shkallës së dytë” – tha Lushaku.
Së fundmi, KALLXO.com ka raportuar se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i ka ndalur punimet që nisën më 10.03.2025 për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në kryeqytet.
Më 12.03:2025 pllakatës së projektit i është vendosur shenja që tregon ndalimin e punimeve.
Përurimi i fillimit të punimeve për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” u bë me 10.03.2025, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.