Përjashtimi i mediave nga salla e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, reagon AGK

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar veprimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për përjashtimin e gazetarëve nga mbledhja e këtij kuvendi.

Sipas AGK-së, kjo shkon në kundërshtim me transparencën që nevojitet për diskutime për tema me rëndësi për të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë komunë.

“Kuvendi Komunal, kryesuesi dhe kryetari duhet të kujdesen që të krijojnë kushtet e nevojshme që mediet e interesuara të përcjellin punimet, të papenguar”- thuhet tutje në njoftim.

https://www.facebook.com/asociacioniigazetareve/posts/pfbid0zvZT8Zg4quS2H6VGmH15RhyYbdZU9XyzcTHqQ6LGy8h5uWVdoxTK6Rs56Qut9eeDl

Ekipi i KALLXO.com ishte i pranishëm që nga fillimi i seancës së Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.

Anëtarja e “Demokracia Serbe”, Valentina Gjerkoviq, ka pyetur se cili është procesverbali dhe çka po votohet në këtë mbledhje.

Me këtë rast, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin, tha se nuk lejohet të bëhen pyetje gjatë seancës dhe mori vendim që seanca të jetë e mbyllur për media.

Në këtë mbledhje, asamblistë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë kërkuar që të zbatohet vendimi për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Çështja e hapjes së urës në fakt është ngritur nga Aida Ferati- Doli.

Lidhur me hapjen e urës së Ibrit kanë reaguar Bashkimi Europian dhe KFOR-i duke bërë thirrje që çdo vendim lidhur me këtë urë të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.