Për së dyti herë, Ministria e Mbrojtjes nuk ia del të blejë vajra për pastrimin e armëve

Ministria e Mbrojtjes, as pas tentimit të dytë, nuk ja doli të realizoj blerjen e vajrave për pastrimin e armëve. Mungesa e operatorëve të përgjegjshëm doli të jetë arsye e dështimit të tenderit.

Në fillim të muajit dhjetor, Ministria e Mbrojtjes për së dyti herë hapi thirrje për t`u furnizuar me vajra për pastrimin e armëve.

Për blerjen e këtyre vajrave, Ministria e Mbrojtjes kishte parashikuar kontratë në vlerë deri 15,000 euro.

Procedura e hapur, ishte lloji i procedurës i përdorur për këtë aktivitet të prokurimit, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Mirëpo edhe pas ritenderimit, ministria nuk ja doli të realizoj këtë blerje pasi nuk kishin pranuar asnjë ofertë të përgjegjshme.

“Nuk kemi asnjë ofertë të përgjegjshme”, thuhet në njoftimin për anulim.

Për qëllimin e njëjtë, ministria tender kishte hapuar edhe në muajin gusht të vitit të kaluar, mirëpo në mungesë të operatorëve të përgjegjshëm i njëjti ishte anuluar.