Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Për një ditë janë dhënë 2,318 doza të vaksinës kundër COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë dhënë 2,318 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Sipas MSh, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 67,094 doza të vaksinës.

Deri në fund të vitit pritet të arrijnë mbi 1 milion e 200 mijë vaksina antiCOVID në Kosovë, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, më 28 maj 2021.

Sipas Vitisë, Kosova deri më tani ka pranuar në total 178 mijë doza dhe në vazhdim do të ketë edhe të tjera.

Në fund të muajit mars, Kosova ka marrë dozat e para të vaksinës “AstraZeneca” 24,000 sosh, përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Më pas, më 5 maj, rinisi procesi i imunizimit me 4,680 dozat e vaksinës “Pfizer” nga “BioNTech”, e cila ka qenë edhe pjesa e parë e 95,000 dozave që Bashkimi Evropian ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi më 26 maj se kanë arritur edhe 100,620 vaksina falë Aleancës Gavi të COVAX.

Kosova ngec karshi shteteve të rajonit në vaksinimin kundër COVID-19