Kosova ngec karshi shteteve të rajonit në vaksinimin kundër COVID-19

Kosova ka arritur që deri më sot të vaksinojë 61 mijë e 500 qytetarë me doza kundër pandemisë COVID-19, proces të cilin po e kryen vetëm fal donacioneve nga COVAX dhe BE.

Në fund të muajit mars, Kosova ka marrë dozat e para të vaksinës “AstraZeneca” 24,000 sosh, përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Më pas, më 5 maj, rinisi procesi i imunizimit me 4,680 dozat e vaksinës “Pfizer” nga “BioNTech”, e cila ka qenë edhe pjesa e parë e 95,000 dozave që Bashkimi Evropian ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Si rrjedhojë, Kosova është i vetmi vend në Evropë që ende nuk ka ndonjë kontratë për blerjen e vaksinave kundër COVID-19. Ministria e Shëndetësisë njoftoi të enjten se kanë arritur edhe 100,620 vaksina falë Aleancës Gavi të COVAX.

Përtej kufijve të Kosovës, është Serbia e cila në rajon dhe jo vetëm, rezulton mjaftë mirë me procesin e imunizimit të qytetarëve të saj.

Serbia deri më tani ka vaksinuar mbi 30 për qind të popullatës, saktësisht ka kryer 4,354,888 vaksinime kundër COVID-19.

Ky vend ka marrë jo vetëm vaksinat e “Pfizer/Biontech”, por edhe vaksina ruse “Sputnik V” dhe vaksina kineze “Sinopharm”. Po ashtu ndryshe nga shumë vende të tjera, qytetarët e Serbisë mund të zgjedhin se çfarë vaksine dëshirojnë të bëjnë.

Serbia ka qenë edhe shteti i tretë në Evropë pas Britanisë së Madhe dhe Zvicrës që ka nisur injektimin e vaksinës anti-COVID.

Ndërkaq edhe Shqipëria nuk qëndron keq me vaksinimin kundër COVID-19. Shteti ka nisur vaksinimin që nga 11 janari 2021.

Të dhënat zyrtare tregojnë se 748,986 qytetarë janë vaksinuar ndaj COVID19. Prej tyre 269,197 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.

Në anën tjetër, Maqedonia e Veriut ka regjistruar 267,167 doza të vaksinave COVID deri më tani. Imunizimi po bëhet me vaksinën e kompanisë kineze, “Sinopharm” si dhe me atë të Rusisë, “Sputnik”.

Të dhënat për procesin e vaksinimit në botë janë të publikuara në Global Tracker Reuters. Në këtë web nuk figuron Kosova.