Pas hulumtimit të “Drejtësia në Kosovë”, katër të arrestuar për ‘biznesin e bombave’
Dy vite pasi emisioni “Drejtësia në Kosovë” publikoi në dy seri hulumtimin e titulluar ‘Biznesi i Bombave’, Policia e Kosovës ka arrestuar 4 persona dhe të njëjtit i ka dërguar në mbajtje.
Katër persona po dyshohen për vendosje të bombave në një lokal të Prishtinës dhe përkatësisht për ndihmë në këtë vepër. Prokuroria po kërkon paraburgimin e të dyshuarve për një muaj.
Në kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit që e ka siguruar KALLXO.com, përshkruhet se bazë e hetimit ishte përmbajtja e emisionit “Drejtësia në Kosovë” i datës 18 maj 2018.
Artan Avdullahu kishte rrëfyer ekskluzivisht versionin e tij në emisionin DNK se si i kishte hedhur bombat në një lokal në Prishtinë. Ndërsa kërkesa për caktimin e paraburgimit e përshkruan atë si të dyshuarin kryesor që ka hedhur bombat.
“Me datën 25 maj 2010 rreth orës 02;00 pas mesnatës afër PTK-së në lagjen “Dardania” në Prishtinë me qëllim të frikësimit dhe kërcënimit e i shtyrë nga të pandehurit Bekim Krasniqi dhe Shkelzen Zariqi e i ndihmuar nga i pandehuri Vedat Rexhepi, lidhur me një kontekste pronësor ka vendosur dy granata dore dhe një bombolë gazi në derën e zyrave të kompanisë “ITC” të të dëmtuarit Hajrullah Kryeziu”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.
Dy të pandehurit e tjerë Shkëlzen Zariqi e Bekim Krasniqi në kërkesën për caktimin e paraburgimit përshkruhen si dy të dyshuarit për shtytjeje në këtë vepër penale.
“Më datën 25 maj 2010 me qëllim të përfitimit material, lidhur në një kontekst pronësor, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike sociale të të pandehurit Artan Avdullahu e kanë shtyrë të njëjtin të vendos dy granata dore dhe një bombole gazi në derën e zyrave të kompanisë “ITC”, shkruhet në kërkesën e prokurorisë.
I pandehuri i katërt, Vedat Rexhepi përshkruhet në kërkesën e prokurorisë si personi që e ka ndihmuar Artan Avdullahun në vendosjen e bombave.
““Më datën 25 maj 2010 me qëllim të përfitimit material, lidhur në një kontekst pronësor, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike sociale të të pandehurit Artan Avdullahu, e ka ndihmuar të njëjtin që të vendos dy granata dore dhe një bombole gazi në derën e zyrave të kompanisë “ITC”, shkruhet në kërkesën e prokurorisë.
Emisionet e plota të “Drejtësisë në Kosovë” mund ti ndiqni në linqet e mëposhtëm.