Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog Foto: KALLXO.com

Pas dështimit të seancës, ambasadori i BE-së në Kosovë kritikon deputetët

Ambasadori i Bashkimi Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka reaguar pas dështimi të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës si pasojë e mungesës së kuorumit.

Ai ka thënë se deputetët duhet të kenë prioritet punën parlamentare pasi janë zgjedhur nga qytetarët.

“Është për të ardhur keq që Kuvendi i Kosovës ka dështuar edhe një herë të mbajë seancë plenare për shkak të mungesës së deputetëve. Deputetët duhet të kenë prioritet për punën parlamentare pasi janë zgjedhur nga qytetarët për të ushtruar rolin e tyre legjislativ”- ka thënë ai.

Szunyog i ka bërë thirrje Kuvendit të krijojë mekanizëm që siguron pjesëmarrjen dhe votën e deputetëve.

“Vonesat në miratimin e ligjeve dhe emërimet në institucione kanë ndikim negativ në mirëqenien e qytetarëve dhe reformat e nevojshme për përparimin e tij drejt. I bëj thirrje Kuvendit të Kosovës që të merret me këtë çështje duke futur një mekanizëm që siguron pjesëmarrjen dhe votën e deputetëve”- ka shkruar ai në Twitter.

 

Seanca e Kuvendit të Kosovës e paraparë të mbahet sot është shtyrë për një ditë tjetër pas mungesës së kuorumit për të votuar pikat e rendit të ditës.

Seanca është shtyrë për një ditë tjetër të pacaktuar deri më tani, për të cilën kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se deputetët do të njoftohen me kohë.

Fillimisht kjo seancë u shty për dy orë për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve. Megjithatë ligjvënësit nuk u mblodhën as pas më shumë se dy orëve pauzë.

Seanca e sotme ishte paraparë të fillonte në ora 10:00, e cila para se të mbyllej, u shty për më shumë se dy orë në pritje të deputetëtëve të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për të mundësuar votimin e pikave të rendit të ditës, pasi deputetët opozitarë kanë deklaruar se nuk marrin pjesë në votim.