Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Partia e Kurtit del në mbështetje të Frontit kundër të djathtës ekstreme në Francë

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se është në mbështetje të Frontit kundër të djathtës ekstreme në Francë.

Në një postim në Facebook, kjo parti ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve të fundit të mbajtura me 9 qershor në Bashkimin Evropian nuk ishin ato që do t’i donin për vetë vlerat e këtij bashkimi si liria, demokracia e barazia.

LVV tha se si pasojë e këtij rezultati edhe presidenti francez, Emmanuel Macron shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 30 qershor dhe 7 korrik 2024.

“Lëvizja Vetëvendosje si subjekt socialdemokrat dhe si pjesë e familjes socialdemokrate evropiane, PES-it, Aleancës Progresive, Internacionales Socialiste, shpreh shqetësimin e saj mbi gjasat e fitores së një qeverie të udhëhequr nga e djathta ekstreme në Francë” – thuhet në postimin e LVV-së.

Partia e pozitës në Kosovë tha se kjo do të rrezikonte jo vetëm ri-zotimin e Bashkimit Evropian për angazhim drejt zgjerimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor, por sipas LVV-së do të përhapte edhe më tej narrativat destruktive dhe dezinformatat e ekstremit të djathtë për Kosovën, në veçanti të ushqyer nga boshti Moskë-Beograd.

“Në këto rrethana mbesim me shpresë që bashkimi i subjekteve të majta nën emrin ‘’Nouveau Front Populaire’’ do të triumfojë dhe do ta parandalojë fitoren dhe ardhjen në pushtet të së djathtës ekstreme, gjë që do të ishte fatale për shoqërinë dhe vlerat e solidaritetit dhe bashkëjetesës jo vetëm në Francë, por kudo nëpër kontinentin e Evropës” – tha Lëvizja.

Po ashtu u shtua se kjo parti është e bindur që populli francez përmes zgjedhjeve dhe rrugëve demokratike do të reduktojë mbështetjen e këtij kërcënimi të ekstremit të djathtë.

“Për këtë gjë, si asnjëherë më parë, është e nevojshme dhe e domosdoshme bashkimi i të majtës socialdemokrate si e vetmja mundësi për të ruajtur vlerat që janë ndërtuar me mund dhe sakrificë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore” – u theksua nga LVV.

Tutje u shtua se pas triumfit mbi këtë kërcënim që vjen nga ekstremi i djathtë, është e domosdoshme sipas LVV që forcat politike progresiste jo vetëm në Francë por kudo në Evropë, të krijojnë vizione të reja që mbajnë shpresat dhe ruajnë vlerat demokratike për një të ardhme të përbashkët të të gjithë popujve e shteteve në Bashkimin Evropian, familje kjo ku aspiron të bëhet pjesë një ditë edhe Republika e Kosovës.