Foto: Faqja zyrtare e Parlamentit turk / https://www.tbmm.gov.tr/

Parlamenti turk ratifikon anëtarësimin e Suedisë në NATO

Ligjvënësit turq miratuan të martën anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke hequr një pengesë të madhe për hyrjen e vendit të paangazhuar më parë në aleancën ushtarake.

Ligjvënësit ratifikuan protokollin e pranimit të Suedisë me 287 vota pro, 55 kundër dhe katër abstenime. Ratifikimi do të hyjë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare, që pritet së shpejti. Ndërkohë, pengesa e vetme për Suedinë mbetet Hungaria.

Turqia, anëtare e NATO-s, vonoi anëtarësimin e Suedisë për më shumë se një vit, duke e akuzuar atë se ishte shumë e butë ndaj grupeve që Ankaraja i konsideron si kërcënime për sigurinë e Turqisë.

Ankaraja ka kërkuar nga Stokholmi ndryshim të politikave, përfshirë një qëndrim më të ashpër ndaj militantëve kurdë dhe anëtarëve të një rrjeti që Turqia e fajëson për një grusht të dështuar shteti në vitin 2016.

Një sërë demonstratash në Suedi nga mbështetësit e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, si dhe protestat për djegien e Kuranit që tronditën vendet myslimane, shkaktuan zemërime në Turqi.

Muajin e kaluar, komisioni i parlamentit për çështjet e jashtme miratoi anëtarësimin e Suedinë duke shënuar fazën e parë të procesit legjislativ pas dërgimit në parlament të protokollit të anëtarësimi nga Presidenti Rexhep Tajip Erdogan.

Muajin e kaluar, duke argumentuar në favor të anëtarësimit të Suedisë, Zëvendësministri i Jashtëm Burak Akcapar theksoi hapat që Suedia kishte marrë për të përmbushur kërkesat turke, përfshirë heqjen e kufizimeve tregtare ndaj industrisë së mbrojtjes dhe ndryshimin e ligjeve kundër terrorizmit.

Suedia ka premtuar bashkëpunim më të thellë me Turqinë në luftën kundër terrorizmit dhe për të mbështetur ambiciet e Ankarasë për anëtarësim në BE.

Partia opozitare kryesore e Turqisë gjithashtu mbështeti anëtarësimin e Suedisë në aleancë, por një parti e qendrës së djathtë dhe partia pro-kurde deklaruan se do ta kundërshtonin anëtarësimin.

“Hapat e Suedisë në lidhje me ekstradimin e kriminelëve të kërkuar ose luftën kundër terrorizmit kanë mbetur të kufizuara dhe të pamjaftueshme”, tha në parlamentin turk ligjvënësi Musavat Dervisoglu, përfaqësues nga Partia e Mirë.

Presidenti Erdogan e ka lidhur ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO me miratimin nga Kongresi amerikan të një kërkese turke për të blerë 40 avionë luftarakë të modelit F-16 dhe pajisje të tjera ushtarake për të modernizuar flotën ekzistuese të Turqisë. Ai i ka kërkuar gjithashtu Kanadasë dhe aleatëve të tjerë të NATO-s që të heqin embargot e armëve ndaj Turqisë.

Ndërkohë, Hungaria mbetet pengesa e fundit për anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke akuzuar diplomatët suedezë se kanë “thënë gënjeshtra” për gjendjen e demokracisë në Hungari.

Kryeministri hungarez Viktor Orban deklaroi të martën se i ka dërguar letër homologut të tij suedez Ulf Kristersson për ta vizituar Budapestin për bisedime rreth anëtarësimit të Suedisë në aleancë. Anëtarësimi në NATO kërkohen miratimin nga të gjitha shtetet e aleancës./VOA