Pakënaqësi me shpronësimet, banorët e Shipitullës protestojnë para KEK-ut dhe Ministrisë së Ekonomisë

Banorët e fshatit Shipitullë të Komunës së Obiliqit kanë protestuar më 07.02.2024 para zyreve të Korporatës Energjetike të Kosovës në Prishtinë.

Para zyreve të KEK-ut, banorët kërkuan takim me zyrtarët e kësaj korporate për të biseduar rreth procesit të shpronësimeve në këtë fshat.

“Dikush nga KEK-u me dal me na tregu pse nuk na janë përgjigjë që një muaj e gjysmë. Prej datës 24 ia kemi bërë kërkesën bordit, hala kurrëfarë përgjigje. Le të jetë o pozitive o negative” – deklaroi Musli Mjeku, banor i Shipitullës.

Banorët kërkuan takim me zyrtarët e KEK-ut, të cilët me protestuesit komunikonin përmes Policisë. Prej tyre i morën edhe emrat e përfaqësuesve se kush do të hynte në takim.

Por, për aq kohë sa protestuesit pritën para zyreve të KEK-ut, askush nuk i priti në takim.

Kjo gjë i frustroi protestuesit. Përfaqësuesi i banorëve të Shipitullës, Arsim Mjeku tha se udhëheqësia e KEK-ut “nuk ka ftyrë me dalë”.

“E dijnë fort mirë se çka kanë bërë në Shipitullë. E dijnë çka është vjedh e si i kanë luajtur vijat. Këtu është deshtë me qenë një prokuror që me na i dëgju hallet e banorëve” – deklaroi Mjeku.

Pasi që takimi në KEK nuk u mundësua, protestuesit shkuan te dera e Ministrisë së Ekonomisë. Aty kërkuan takim me ministren Artane Rizvanolli.

Arsim Mjeku tha se nga data 28.02.2024 kanë dërguar kërkesë te ministrja Rizvanolli, por ajo ende nuk i ka pranuar në takim.

Si përfundim, as në Ministrinë e udhëhequr nga Artane Rizvanollit banorët nuk u pranuan në takim.

Policia ftoi përfaqësuesin e protestuesve, Arsim Mjeku, i cili pas këtij takimi deklaroi se në Ministri nuk pranuan të takohen me ta.

“Tha kemi bisedu me banorët e Shipitullës. Gjoja se i kanë dërgu shkresa edhe kryetarit të Komunës. K’ta na kanë thanë që brenda një muaji kanë me na thirrë në takim, por s’na kanë thirrë e as nuk na kanë lajmëru asgjë” – shtoi Mjeku.

Banorët e Shipitullës që disa muaj ankohen për procesin e shpronësimit në këtë fshat.

Ata kanë pretendime se ka lëvizur vija e procesit të shpronësimit, ekskavatori i KEK-ut është më afër shtëpive se që e lejon ligji dhe se po u merren tokat për shpronësim, por jo edhe shtëpitë.

Banorët kanë deklaruar se u është vështirësuar jeta nga zhurma e madhe e ekskavatorit të KEK-ut i cili gjendet afër shtëpive të tyre.