Vojisllav Sheshel | Foto: BETA

Padit Vojisllav Sheshelin - Përpjekja e një kroati për ta bërë liderin nacionalist të paguajë

Një burrë që la shtëpinë e tij pas në Hrtkovci të Serbisë në vitin 1992 pasi kreu i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli nxiti zemërim anti-kroat në fshat, tani po përpiqet të fitojë kompensim.

Franjo Baricevic ka lindur në vitin 1953 në fshatin e vogël Hrtkovci, afër qytetit të Rumës në rajonin verior të Vojvodinës të Serbisë, ku familja e tij kishte jetuar për disa breza.

“Nëna ime – ose, më mirë, stërgjyshi, gjyshi dhe nëna ime – kanë jetuar gjithmonë në Hrtkovci, ndërsa babai im ishte me origjinë nga Lika në Kroacinë e sotme”, tha Baricevic në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në tetor 2008.

Pas përfundimit të shkollës së mesme dhe shërbimit të tij ushtarak jugosllav, Baricevic shkoi në Zagreb, ku kaloi tre vjet duke punuar dhe duke bërë trajnime profesionale shtesë.

“Pas tre vitesh u ktheva në Hrtkovci ku fillova të punoj për ujësjellësin. Kam punuar atje si punëtor mirëmbajtjeje deri në vitin 1992”, i tha ai gjykatës së krimeve të luftës me bazë në Hagë.

Hrtkovci ishte një fshat etnikisht i përzier. Por pasi shpërtheu lufta kroate dhe kroatët që jetonin në Serbi u vunë nën presionin e kërcënimeve nacionaliste, Baricevic vendosi të largohej në maj 1992.

Ashtu si shumë kroatë të tjerë që jetonin në Vojvodinë, ai u detyrua ta ndërronte shtëpinë e tij në Serbi me një shtëpi në Kroaci në pronësi të një familjeje serbe që tani, për shkak të luftës, donte të jetonte në Serbi.

Baricevic ende jeton në Kroaci. Rreth 30 vjet pasi u detyrua të largohej nga Hrtkovci, ai ngriti një çështje për kompensim dëmi në Departamentin Civil të Gjykatës së Lartë në Beograd.

Ai po padit shtetin e Serbisë dhe liderin e Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, lidhur me një fjalim që ai mbajti në Hrtkovci në maj 1992, për të cilin Baricevic argumenton se ishte arsyeja pse ai u detyrua të largohej.

Në fjalën e tij, Shesheli tha se “nuk ka vend për kroatët” në Hrtkovci. Në vazhdën e fjalimit, kroatët e mbetur në fshat ishin në shënjestër të ngacmimeve nga mbështetësit e Sheshelit dhe të tjerë. Gjatë tre muajve të ardhshëm, shumë prej tyre u kërcënuan me vdekje, u kanosën dhe u detyruan të largoheshin nga zona – pjesë e një fushate kanosjeje nga nacionalistët e cila pa mijëra kroatë të largoheshin nga rajoni i Vojvodinës së Serbisë.

Shesheli u dënua në vitin 2018 me dhjetë vjet burg për shkak të fjalimit. Gjykata e Hagës konstatoi se ai “nxiti dhunë që denigronte dhe shkelte të drejtën për siguri të anëtarëve të popullsisë kroate të Hrtkovcit, duke kryer kështu krimin e përndjekjes”.

Të premten, seanca e fundit dëgjimore në rastin e Baricevicit po mbahet në Beograd. Avokati i tij Mihailo Pavlovic shpjegoi se Baricevic po padit Serbinë dhe Sheshelin për kompensim prej rreth 100,000 eurosh për dëme materiale dhe jomateriale.

“Dëmi material i referohet diferencës midis vlerave të pronës së lënë këtu, në Serbi, dhe asaj që ai mori atje, në Kroaci”, tha Pavlovic për BIRN.

“Dhe dëmi jomaterial lidhet me shkeljen e nenit 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut – e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, e cila njihet edhe nga ligji ynë serb”, shtoi ai.

I pyetur nga BIRN për një përgjigje ndaj akuzave, Shesheli pohoi se ekipi i tij ka “prova se Franjo Baricevic ka marrë një pronë disa herë më të vlefshme se sa ajo që ai kishte në Hrtkovci”. Ai këmbënguli se Baricevic nuk ka “nuk ka shanse” ta fitojë çështjen e tij.

“Do t’i çojmë në kufi”

Fjalimi që Shesheli mbajti në Hrtkovci ishte pjesë e një mitingu të organizuar nga Partia Radikale Serbe gjatë fushatës për zgjedhjet federale të vitit 1992 në Jugosllavi.

Zyrtarisht, Serbia nuk ishte në luftë me Kroacinë, e cila po luftonte për t’u shkëputur nga Jugosllavia, por Shesheli u fokusua në konflikt. Në një moment ai tha se “të vetmit kroatë për të cilët ka vend mes nesh” janë ata “që kanë derdhur gjak së bashku me ne në vijën e frontit”, të cilët janë “vetëm kroatë në emër” dhe që “tashmë i kanë hapur sytë që janë, në fakt, serbë katolikë”.

“Ata do të qëndrojnë këtu me ne, ndërsa të gjithë të tjerët duhet të largohen nga Serbia”, deklaroi Shesheli.

Ai vazhdoi duke folur për serbët që duhej të largoheshin nga Kroacia, duke thënë se “ne duhet t’u japim atyre një çati mbi kokë dhe të ushqejmë gojët e uritura”, por shtoi se nuk ka para për shtëpi të reja apo burime për të krijuar vende të reja pune.

“Shumë mirë atëherë,” tha ai, “nëse nuk mund ta bëjmë këtë, atëherë duhet t’i japim çdo familjeje serbe refugjatësh adresën e një familjeje kroate”. Në këmbim, tha ai, refugjatët serbë do t’u jepnin atyre adresën e shtëpisë që u desh të linin “në Zagreb ose në një qytet tjetër kroat”.

“Do të ketë mjaftueshëm autobusë. Ne do t’i çojmë kroatët deri në kufirin e territorit serb dhe ata mund të vazhdojnë në këmbë që aty, nëse nuk largohen paraprakisht me dëshirën e tyre”, tha ai.

Baricevic ishte një nga ata që u largua me dëshirën e tij para se të ndodhte diçka më e keqe.

Ai i tha Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë se pas tubimit të Partisë Radikale Serbe në Hrtkovci, vajza e tij u ndalua duke u kthyer nga shkolla në shtëpi “nga disa njerëz që e pyetën: ‘Kë do më shumë babai jot, ty apo tët vëlla? Sepse ai mund të marrë vetëm njërin prej jush me vete në Kroaci dhe ti e di shumë mirë se çfarë do të ndodhë me tjetrin.”

“Dhe më pas më telefonuan dhe më thanë: ‘Çfarë po pret? Pse nuk largohesh?”

Baricevic tha se kjo ndodhi “më shumë se një herë, derisa pranova të ndërroj shtëpinë time”.

Ai u largua nga Hrtkovci më 19 maj 1992, disa ditë pasi u larguan gruaja dhe fëmijët e tij.

 “Nxirrini nga shtëpitë e tyre”

Shesheli fillimisht u lirua nga akuzat nga Gjykata e Hagës në vitin 2016, por më pas u dënua në vitin 2018 për nxitje të krimeve me retorikë nacionaliste në rajonin e Vojvodinës gjatë luftës në 1992.

Dhoma e Apelit e gjykatës tha në vendim se “fjalimi i Sheshelit denigroi kroatët e Hrtkovcit në bazë të përkatësisë së tyre etnike, duke shkelur të drejtën e tyre për respektimin e dinjitetit si qenie njerëzore”.

Ai tha se në atë moment, Hrtkovci po gëzonte “paqe relative” në krahasim me trazirat e dhunshme në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë.

“Me fjalimin e tij, Shesheli i dha fund asaj ndjenje sigurie duke e infektuar fshatin me urrejtje dhe dhunë, gjë që çoi në largimin e civilëve kroatë në muajt në vijim, duke zgjeruar kështu sulmin më të gjerë kundër popullsisë joserbe në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë”, thuhej në vendim.

I pyetur nga BIRN nëse do të mbante sërish të njëjtin fjalim në të njëjtën situatë, Shesheli u përgjigj: “Sigurisht.”

Ai argumentoi se Serbia ishte “përmbytur” me refugjatë nga Kroacia në atë kohë dhe tha se “një nga mënyrat për të lehtësuar vuajtjet e tyre ishte që disa prej tyre të shkëmbenin pronat me kroatët nga Serbia”.

Avokati i Baricevicit, Pavlovic, tha se klienti i tij po e padit Sheshelin në bazë të vendimit të gjykatës së Hagës dhe po e padit Serbinë për shkak të “mosveprimit” të saj.

“Ai po e padit Republikën e Serbisë sepse nga ai vendim janë nxjerrë një sërë dëshmish të cilat thonë se Departamenti i Sigurimit të Shtetit serb ishte në dijeni të gjithçkaje që po ndodhte; kishte shënime zyrtare se ata ishin në dijeni të të gjitha incidenteve në Hrtkovci dhe se ata nuk bënë asgjë për të parandaluar dëbimin e Baricevicit”, shpjegoi Pavlovic.

Gjatë gjykimit të Sheshelit, në gjykatë u paraqitën shënime zyrtare nga zyra e Sigurimit të Shtetit Serb në Ruma për tubimin e 6 majit 1992, si dhe shënime për pasojat e tubimit, jo vetëm në Hrtkovci, por edhe në fshatra të ndryshëm të rajonit të Vojvodinës.

Në një raport të datës 4 qershor 1992, oficerët e Sigurimit të Shtetit shkruan se më 15 maj, tre persona hynë në shtëpinë e Marko Fumic në Hrtkovc “sipas vlerësimit tonë, për ta vrarë atë”.

Burrat u arrestuan, por me skadimin e urdhrit të paraburgimit, ata u liruan sërish.

“Ne gjithashtu besojmë se autoritetet gjyqësore duhet të jenë më efektive në trajtimin e rasteve të njerëzve që u janë nënshtruar presioneve për të lënë shtëpitë e tyre, zaptimin me forcë të shtëpive, mbajtjen e armëve të zjarrit dhe të ngjashme”, thuhet në raportin e oficerëve të Sigurimit të Shtetit.

Një raport tjetër përshkruan një takim të komunitetit më 20 qershor 1992 në Hrtkovci, në të cilin ishin të pranishëm rreth 300 njerëz, kur Ostoja Sibincic, kryetar i kuvendit të komunitetit lokal “tha se tani kishin ardhur ata në pushtet dhe se askush nuk mund t’i ndalojë të arrijnë qëllimi i tyre – të dëbojnë të gjithë kroatët, hungarezët, madje edhe disa serb nga Hrtkovci”.

“Nga tani dhe deri më 28 qershor 1992, ata duhet t’u bëjnë presion familjeve dhe të dëbojnë pronarët nga shtëpitë e tyre”, thuhet në raport.

Në raport thuhej gjithashtu se “pas takimit u krijua një njësi paraushtarake për mbrojtjen e serbëve”, dhe se “kjo njësi përfshin gjithashtu një njësi për eliminimin e heshtur të kroatëve dhe hungarezëve”.

Ai shtoi se me urdhër të Sibincic, u hartua një listë e të gjithë banorëve të mbetur në Hrtkovci.

Sibincic u padit në shtator 1992 për rrezikim të lirisë dhe të drejtave të qytetarëve të një kombi, kombësie ose grupi tjetër etnik, për shkak të incidenteve të shumta në të cilat ai, së bashku me të tjerë, sulmoi verbalisht ose fizikisht kroatët ose hungarezët etnikë, duke i urdhëruar ata të largoheshin nga Serbia dhe për armëmbajtje pa leje.

Në maj të vitit 1993, Sibincic u shpall fajtor dhe iu pezullua dënimi me kusht. Gjatë gjyqit të tij, Shesheli i tha gjykatës në Hagë në vitin 2010 se Sibincic “vdiq vitin e kaluar”./ Balkaninsight