Osmani në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit: Sot kujtojmë miliona jetë të pafajshme të humbura

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit ka kujtuar personat që kanë humbur jetën në këtë ditë.

Ajo ka thënë se kjo  ditë shërben si një kujtesë për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja, paragjykimet dhe fanatizmi.

“Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ne kujtojmë miliona jetë të pafajshme të humbura në një nga kapitujt më të errët të historisë njerëzore. Shërben si një kujtesë për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja, paragjykimet dhe fanatizmi”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.

Sot shënohet 27 janari, Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit.

Kjo datë u vendos nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pasi shënon ditën e çlirimit të kampit famëkeq të Auschwitz në vitin 1945./ Dukagjini