Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani: Deklarata e 2 Korrikut ishte pikënisje drejt realizimit të idesë për Kosovën shtet të pavarur

Presidentja, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ka takuar sot, më 02.07.2024, disa prej delegatëve të ish- Kuvendit të Kosovës, të cilët shpallën Deklaratën e 2 Korrikut.

E para e shtetit ka thënë se kjo deklaratë e miratuar në vitin 1990 ishte pikënisje drejt realizimit të idesë për pavarësimin e Kosovës.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte pikënisje drejt realizimit të idesë së kahmotshme për Kosovën shtet të pavarur. Sot, në këtë përvjetor, pata nderin t’i takoj një pjesë të delegatëve të asaj kohe, guximi dhe vendosmëria e të cilëve shënuan një akt historik, me të cilin u vendosën themelet për realitetin e sotëm- Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës”- ka shkruar presidentja Osmani në Facebook.

 

2 korriku i vitit 1990, ishte dita kur 111 delegatë të Kuvendit të Kosovës, në rrethana të shtetrrethimit policor e ushtarak serb, para dyerve të ndërtesës së Kuvendit miratuan një nga dokumentet historike kushtetuese për statusin e ardhshëm politik të Kosovës: Deklaratën Kushtetuese për Kosovën, njësi e pavarur në kuadër të ish-Federatës së atëhershme të Jugosllavisë.

Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, më 7 shtator të vitit 1990, të njëjtit delegatë, asokohe nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës.