Ilustrim

Organizata 'Studim, Kritikë, Veprim' e quan të jashtëligjshëm shtimin e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë

Organizata për rini ‘Studim Kritikë Veprim’ po e konsideron veprim të jashtëligjshëm shtimin e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë.

Ky reagim i tyre erdhi pasi ministri i Arsimit, Ramë Likaj, aprovoi kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë, Armend Zemaj për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë.

Likaj vendimin e ka marrë sot dhe në të ka shkruar që të rritet numri për 50 studentë në Mjekësi të Përgjithshme.

Si arsyetim Likaj ka thënë se këtë vendim e ka marrë pas kërkesës së ministrit, Armend Zemaj, Komisionit për Arsim dhe Shkencë, derisa ka shtuar se është konsultuar me Agjencinë e Akreditimit dhe Këshillin Shtetëror të Cilësisë për vendimin e tij.

Këtë veprim, organizata e ka quajtur si një goditje ndaj Universitetit të Prishtinës, posaçërisht Fakultetit të Mjekësisë.

Organizata për rini ‘Studim Kritikë Veprim’ gjithashtu ka theksuar se një kërkesë e tillë është bërë nga një ministër i Shëndetësisë, i cili me profesion është jurist, kurse ai i Arsimit është i denoncuar për plagjiaturë.

Organizata ka theksuar se nuk kanë asgjë kundër 50 studentëve që pritet t’i shtohen Fakultetit, por e kundërshtojnë ndërhyrjen e politikës në Universitet.

Tutje në reagimin e organizatës thuhet se ministri nuk u konsultua paraprakisht me kryetarin e Këshillit Shtetëror për Cilësi, këta të fundit janë përcaktues për numrin e studentëve që hynë në Fakultet.

KShC ka përcaktuar se numri i studentëve që mund të regjistrohen në programin Mjekësi e Përgjithshme të Fakultetit të Mjekësisë është 150 dhe skadimi I këtij akreditimi është më 9/30/2022.

Kundër kërkesës së ministrit Zemaj është shprehur edhe Rektori i UP-së, Naser Sahiti dhe dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu.

Rektori Sahiti në përgjigjen e tij u shpreh se nuk mund të aprovohet një kërkesë e tillë pasi kjo çështje rregullohet nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe se duhet respektuar kuotat e përcaktuara nga ana e KShC.

Ndërkaq përmes një përgjigje të gjatë kundër është shprehur edhe Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë e cila u shpreh se rritja e numrit të studentëve duhet të bëhet me proces të rregullt, sipas procedurave të akreditimit të përcaktuara me aktet ligjore në fuqi të Agjencionit të Akreditimit.

Më poshtë keni reagimin e plotë të organizatës:

“MINISTRI LIKAJ JASHTËLIGJSHËM SHTON NUMRIN E STUDENTËVE NË FAKULTETIN E MJEKËSISË

Universiteti i Prishtinës, veçanërisht Fakulteti i Mjekësisë, sot ka marrë goditjen e rradhës nga politika përkatësisht nga Ministri plagjiator i Arsimit Ramë Likaj.

Siç e dini, pak ditë më parë, saktësisht më 15 nëntor Ministri aktual i Shëndetësisë Armend Zemaj, i cili me profesion është jurist, bëri një kërkesë për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë. Katër ditë më vonë kësaj kërkese i është përgjigjur pozitivisht Ministri i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj i cili është denoncuar në UP për plagjiaturë.

Sipas këtij vendimi, në Fakultetin e Mjekësisë dega ‘’Mjekësi e Përgjithshme’’ prej 150 studentë sa ka aktualisht numri do të rritet edhe për 50 studentë të rinj. SKV si organizatë studentore nuk ka asgjë kundër këtyre 50 studentëve, por ne kundërshtojmë fuqishëm ndërhyrjet politike në Universitet pasi vendimet e tilla i takojnë ekskluzivisht Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe jo Ministrisë së Arsimit.

Në këtë vendim thuhet se Ministri është konsultuar edhe me KShC, por ai u përgënjeshtrua menjëherë nga Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) Gazmend Luboteni I cili para pak çasteve deklaroi se nuk janë konsultuar fare për këtë vendim. “Ne sapo jemi informuar për vendimin dhe KShC-ja nuk ka qenë e njoftuar për këtë çështje”, tha ai.

KShC ka përcaktuar se numri I studentëve që mund të regjistrohen në programin Mjekësi e Përgjithshme të Fakultetit të Mjekësisë është 150 dhe skadimi I këtij akreditimi është më 9/30/2022.

Siç mund ta shihni edhe në foton e mëposhtme Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka publikuar në shtator të këtij viti listën përfundimtare me programet e akredituara të institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës, si dhe numrin e studentëve të lejuar për regjistrim në secilin program akademik. Sipas këtij vendimi thuhet se: ‘’ Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mbledhjen e fundit ka përcaktuar kuotat me numrin e studentëve që mund të regjistrohen në secilin program akademik, ashtu siç është rekomanduar në raportin e ekspertëve ndërkombëtarë. Institucionet e arsimit të lartë janë të obliguara të respektojnë këto kuota, ashtu siç është e përcaktuar me legjislacionin në fuqi.’’

Kundër kërkesës së Ministrit Zemaj është shprehur edhe Rektori i UP-së, Prof. Dr. Naser Sahiti dhe Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu. Rektori Sahiti në përgjigjen e tij u shpreh se nuk mund të aprovohet një kërkesë e tillë pasi kjo çështje rregullohet nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe se duhet respektuar kuotat e përcaktuara nga ana e KShC. Ndërkaq përmes një përgjigje të gjatë kundër është shprehur edhe Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë e cila u shpreh se rritja e numrit të studentëve duhet të bëhet me proces të rregullt, sipas procedurave të akreditimit të përcaktuara me aktet ligjore në fuqi të Agjencionit të Akreditimit.

‘’Studimet e mjekësisë kushtojnë shumë dhe FMUPHP është duke prodhuar mjekë kryesisht për Gjermani, Zvicër e tërë Evropën, duke ju ofruar falas këtë kuadër. Arsyet e largimit janë shume dimenzionale dhe arsyet më të fuqishme janë ato të cilat i ceka më lart: mungesa e punësimit të mjekëve, paga e ulët, kushtet jo të mira të punës në shëndetësinë Kosovare dhe mungesa e mbrojtjes në punë’’, shkruan ndër të tjera Dekanja Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu.

Ju rikujtojmë se një vendim të tillë për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë e kishte marrë vitin e kaluar edhe tanimë ish-Ministri Shyqiri Bytyqi. Vetëm pak ditë pas atij vendimi Agjencia Kosovare e Akredimit u përjashtua nga Asociacioni Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) për shkak të ndërhyrjeve politike.

Duke u bazuar në të gjitha këto fakte mund të arrijmë në përfundim se vendimi i sotëm nga Ministri është një goditje tejet e rëndë në veçanti për Fakultetin e Mjekësisë që për vite me rradhë ka bërë diferencën mbrenda UP-së.”