Organizata “Bashkë për Shëndetin” i bënë thirrje kompanive të sigurimeve shëndetësore të rimbursojnë klientët

Organizata Jo-qeveritare “Bashkë për Shëndetin”, e cila ka për qëllim edukimin shëndetësor të popullatës, ka bërë thirrje që kompanitë e sigurimeve shëndetësore t’u rimbursojnë klientëve të tyre kostot për COVID-19.

Ajo bërë thirrje Bankës Qendrore të Kosovës që urgjentisht të angazhohet dhe të bëjë presionin institucional mbi kompanitë e sigurimit që të kryejnë rimbursimin e mjeteve te pacientët me COVID-19. Përveç kësaj ata kanë kërkuar nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që të merret me këtë çështje dhe të hetojë nëse ka elemente të bashkëveprimit të kompanive të sigurimit, duke shuar konkurrencën, në kosto të pacientëve me COVID-19.

Drejtoresha e organizatës, Jehona Krasniqi-Zhuti ka thënë për KALLXO.com se asnjë nga kompanitë në Kosovë nuk po i rimburson klientët me koston për COVID-19. Si pasojë e kësaj të njëjtit nuk po arrijnë të mbulojnë shpenzimet e asnjë sëmundjeje, e as atyre sezonale.

Sipas organizatës “Bashkë për Shëndetin” pacientët me COVID-19 po e kanë shumë të vështirë të përfitojnë rimbursim të kostove, pasi që asnjë kompani nuk po i mbulon shpenzimet e pandemisë, ani pse shpenzimet për shërim nga COVID-19 janë mjaft të larta.

“Kjo qasje e kompanive të sigurimit po duket të jetë në marrëveshje implicite ose eksplicite mes tyre, në kosto të klientëve dhe në shkelje të rregullativës për konkurrencën”, shkruan “Bashkë për Shëndetin”.

Sipas tyre mos-rimbursimi po ndodhë jo vetëm te klientët të cilëve kompanitë e sigurimit në kontratat e vitit të kaluar, ua kanë përjashtuar nga kontrata “pandemitë” por edhe te klientët te të cilët kjo gjë nuk ka ndodhur.

“Në bazë të kësaj logjike, ato nuk duhet të mbulojnë shpenzimet e asnjë sëmundjeje sepse edhe sëmundjet si gripi sezonal/influenca, janë pandemi”, ka shkruar organizata.