OKB paralajmëron ‘pasoja shkatërruese humanitare’, numri i të vdekurve në Gaza kalon 1,500

Ushtria izraelite u ka thënë 1.1 milionë banorëve të Gazës veriore që të zhvendosen më në jug brenda 24 orëve, sipas OKB, duke paralajmëruar se është “e pamundur që një lëvizje e tillë të ndodhë pa pasoja shkatërruese humanitare”.

Stéphane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, tha se zyrtarëve të OKB-së u ishte thënë “që e gjithë popullsia e Gazës në veri të Gazës duhet të zhvendoset në Gazën jugore brenda 24 orëve të ardhshme”.

Ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan, ka thënë se përgjigja e OKB-së është “e turpshme” dhe se ajo duhet të fokusohet në dënimin e Hamasit dhe mbështetjen e të drejtës së Izraelit për vetëmbrojtje.

Ushtria izraelite, IDF, u ka bërë thirrje të gjithë civilëve në qytetin e Gazës që të evakuohen nga shtëpitë e tyre drejt jugut, sepse “do të operojë ndjeshëm në qytetin e Gazës në ditët në vijim”.

IDF ka thënë se banorët “do të jenë në gjendje të kthehen në qytetin e Gazës vetëm përmes një njoftimi tjetër”.

Izraeli e ka filluar procesin e varrosjes së viktimave të sulmeve të fundjavës nga Hamasi. Numri më i fundit i vdekjeve në Izrael është 1,300.

Zëdhënësi ushtarak i Izraelit ka thënë se qeveria ka qenë në gjendje të konfirmojë identitetin e 97 personave të marrë peng në Gaza gjatë sulmit nga Hamasi.

Më shumë se 100 besohet se janë kapur. Shumica e të vdekurve u vranë brenda një dite të vetme, kur luftëtarët e Hamasit e kapërcyen kufirin dhe sulmuan civilët izraelitë. 222 nga ata që janë vrarë që nga fillimi i sulmeve të shtunën janë ushtarë, sipas IDF.

Më shumë se 1,500 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite që nga e shtuna, ka thënë të enjten ministria e shëndetësisë e Gazës. Midis tyre janë 500 fëmijë, sipas ministrisë së lartcekur. 6,612 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore izraelite në enklavën palestineze.

Human Rights ëatch ka thënë të ketë arritur në përfundimin se Izraeli ka përdorur fosfor të bardhë në operacionet ushtarake mbi portin e qytetit të Gazës dhe dy vendndodhje rurale përgjatë kufirit Izrael-Liban këtë javë. Përdorimi i fosforit të bardhë nga Izraeli në zonat e mbushura me civilë “paraqet një rrezik të lartë të djegieve torturuese dhe vuajtjeve gjatë gjithë jetës”, paralajmëron organizata.

Sulmet izraelite kanë vrarë tre gazetarë deri më tani, dhe dy të tjerë kanë vdekur si pasojë e plagëve me armë zjarri, sipas Reporterëve pa Kufij. Rreth 12 punëtorë të agjencisë palestineze të OKB-së për refugjatët janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, tha organizata.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se i ka dokumentuar 34 sulme ndaj kujdesit shëndetësor në Gaza që nga e shtuna e kaluar që kanë rezultuar në vdekjen e 11 punonjësve shëndetësorë, 16 të lënduar dhe dëmtime në 19 objekte shëndetësore dhe 20 ambulanca. Në një deklaratë të enjten, OBSH paralajmëroi se sistemi shëndetësor në Rripin e Gazës është “në pikën e thyerjes” dhe se “koha po mbaron për të parandaluar një katastrofë humanitare”.

Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (ëFP) ka thënë se situata në Rripin e Gazës është “e tmerrshme” dhe “shkatërruese” dhe paralajmëroi se furnizimet thelbësore po mbarojnë me shpejtësi pasi Izraeli vendosi një bllokadë totale në territor. Ministri i Energjisë i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se nuk do të lejohet energji, ujë apo karburant në Gaza derisa të lirohen pengjet izraelite dhe të kthehen në shtëpi.

Një ofensivë tokësore do të nisë në Gaza “kur të jetë e mundshme dhe e përshtatshme për qëllimet tona”, ka thënë zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, IDF, Jonathan Conricus në një përditësim herët të enjten.

Presidenti palestinez, Mahmud Abbas, ka biseduar të enjten me mbretin e Jordanisë, Abdullah II duke e vënë theksin tek “vrasja e civilëve ose abuzimit të tyre nga të dyja palët” dhe bëri thirrje për lirimin e civilëve, të burgosurve dhe të burgosurve.

Dy zyrtarë policie u plagosën pas një sulmi me armë zjarri pranë hyrjes së Portës së Herodit në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, sipas policisë izraelite kur një person i armatosur përdori një automatik të improvizuar në sulm. Policët i janë  përgjigjur sulmuesit me zjarr dhe e “kanë neutralizuar” atë, thotë policia.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se sulmet nga Hamasi patën “jehonë pikëlluese” të masakrave naziste, ndërkohë që qëndroi përkrah kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në Jerusalem në një akt solidariteti publik. Blinken u zotua se SHBA do të qëndrojë përgjithmonë përkrah Izraelit dhe do ta përdorte turneun e tij në rajon për të nxitur të gjitha palët, veçanërisht Hezbollahun, të mos e zgjerojnë konfliktin ose mos ta hapin një front të dytë. Numri i të vdekurve të qytetarëve amerikanë në Izrael tani është 27, si[as një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë të enjten. Numri i amerikanëve të pagjetur është 14.

Autoritetet zyrtare të Sirisë kanë thënë se forcat izraelite kanë nisur sulme të njëkohshme me raketa në aeroportet në kryeqytetin e saj Damask dhe qytetin verior të Aleppos të enjten.

Mbretëria e Bashkuar do të vendosë avionë patrullimi dhe vëzhgimi dhe dy anije të Marinës Mbretërore në Mesdheun lindor “për ta mbështetur Izraelin”, ka thënë qeveria britanike. Aeroplanët e patrullimit dhe mbikëqyrjes detare do të fillojnë të fluturojnë në rajon “për të gjurmuar kërcënimet ndaj stabilitetit rajonal”, sipas qeverisë britanike.

SHBA dhe Katari kanë rënë dakord ta mohojnë qasjen e Iranit në ndonjë nga fondet prej 6 miliardë dollarësh që ishin pjesë e një marrëveshjeje të shkëmbimit të të burgosurve midis administratës Biden dhe Teheranit muajin e kaluar, citohet të ketë thënë zëvendëssekretari amerikan i Thesarit, ëally Adeyemo.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se Franca “po bën gjithçka që është e mundur” për qytetarët e zhdukur në Izrael, në një fjalim televiziv të enjten në mbrëmje. “Franca nuk do t’i braktisë asnjëherë fëmijët e saj,” deklaroi presidenti francez. Trembëdhjetë qytetarë francezë u vranë në sulmet e Hamasit ndaj Izraelit në fundjavë. 17 të tjerë, përfshirë fëmijë, raportohen të zhdukur. Disa besohet se mbahen peng në Gaza.

Fëmijët britanikë të pengjeve të moshuar të rrëmbyer nga Hamasi u lutën për kthimin e tyre. Shtatëmbëdhjetë shtetas britanikë dyshohet se janë të vdekur ose të zhdukur pas mizorive të fundjavës.

Zyrtarët në të gjithë Evropën u përpoqën ta kufizonin çdo përhapje të tensioneve nga lufta Izrael-Hamas, me Gjermaninë që premtoi një qasje “zero tolerancë” ndaj antisemitizmit dhe Francën që i ndaloi protestat pro-palestineze mes shqetësimeve për rendin publik.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, paralajmëroi se aktet antisemitike dhe mbrojtja e terrorizmit do të trajtohen “rreptësisht” në Francë, në një fjalim televiziv mbi krizën izraelito-palestine të enjten në mbrëmje./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala