Foto: Kushtrim Shala / Facebook

Oda e Mjekëve nis hetimet ndaj mjekut dhe drejtorit pas vdekjes së pacientit

Oda e Mjekëve të Kosovës ka nisur hetimet për kirurgun e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Kushtrim Shala dhe drejtorin e Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, për të parë mundësitë e shkeljeve profesionale dhe shkeljeve etike pasi që pacienti i operuar kishte ndërruar jetë disa orë pas intervenimit.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

“Kanë nisur hetimet në dy niveleve pas vdekjes së pacientit mundësia e shkeljeve profesionale po edhe shkeljeve etike si prej anës së mjekut ashtu edhe të drejtorisë” – tha ai për KALLXO.com.

Sejdiu ka sqaruar edhe procedurat se si do të hetohet rasti.

“Janë çështje të prokurorit të Odës i cili i merr deklaratat e tyre. Presim edhe raportin prej inspektoratit shëndetësor i cili i mbledhë gjitha dokumentacionet dhe ia dorëzon Odës kjo është procedura. Pastaj edhe nëse është fut edhe prokuroria e shtetit që siç kemi marr vesh që po me siguri do të lypet edhe ekspertizë” – u shpreh ai.

Sejdiu tha se nuk kanë informacione nëse është bërë autopsia e personit.

Kirurgu Kushtrim Shala të mërkurën, e ka paraqitur si sukses operacionin “David” te një pacient me diseksion akut të aortës dhe rupturë në nivel të rrënjës së saj. Siç ka thënë vetë ai në postimin e tij në Facebook, ky është nga operacionet e rralla që kryhet kryesisht në qendra te mëdha me volum dhe eksperiencë afatgjatë dhe të specializuara për kirurgjinë e aortës.

Por, në fakt, operacioni nuk ka pasur sukses, pasi pacienti ka vdekur pas disa orësh.

Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, ka thënë se Shala ka kryer një operacion për të cilin është dashur përvoja të cilën nuk e ka pasur.

E mjeku Kushtrim Shala ka reaguar lidhur me deklaratën e Brahimajt dhe ka shpjeguar rrjedhën e ngjarjes.

Ai ka thënë se komentimi i tij lidhur me rastin pa diskutuar fare në konziliumet profesionale është joetik, joprofesional dhe kriminal, sepse, sipas tij, ka të bëjë me tendencën për të eliminuar kolegun.

Autorizohet Policia që të hetojë vdekjen që ndodhi në QKUK pas një operacioni në zemër