Foto: Kushtrim Shala / Facebook

Reagon kirurgu që kreu operacionin “David” në QKUK, kritikon u.d. drejtorin për sulmet "nga pushimet"

Një pacient, i cili është operuar më 3 janar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), po pretendohet se ka vdekur disa orë pasi që është operuar.

Për këtë operacion të rrallë, të quajtur “David”, kishte njoftuar vetë kardiokirurgu Kushtrim Shala. Njoftimin, të shoqëruar me pamje, ai e ka publikuar në Facebook.

Por, më pas ka pasur lajme se pacienti kishte vdekur disa orë pas operacionit.

Në lidhje me rastin ka reaguar u.d. drejtori i Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj. Ai për Telegrafin ka thënë se Shala ka kryer një operacion për të cilin është dashur përvoja të cilën nuk e ka pasur dhe se operimi është kryer nga persona jokompetentë.

E mjeku Kushtrim Shala ka reaguar lidhur me deklaratën e Brahimajt dhe ka shpjeguar rrjedhën e ngjarjes.

Ai ka thënë se komentimi i tij lidhur me rastin pa diskutuar fare në konziliumet profesionale është joetik, joprofesional dhe kriminal, sepse, sipas tij, ka të bëjë me tendencën për të eliminuar kolegun.

Drejtori Brahimaj, sipas Shalës, ka qenë në pushim vjetor dhe nuk ka qenë fare prezent dhe nuk pasur idenë për gjendjen e pacientit në pranim, rrjedhën e trajtimit (operacionit) dhe gjendjen në dalje të operacionit e as nuk ka kontaktuar atë si kardiokirurg operator për të kërkuar sqarim për rrjedhën e operacionit.

Shala në reagimin e tij në Facebook ka thënë se intervenimi është kryer me sukses bashkë me asistencën e mjekut në gatishmëri dr. Endrit Shala, mirëpo ajo që ka ndodhur te pacienti dhe që, siç thotë Shala, ndodh rëndom te diseksionet e aortës, është çrregullimi i rëndë i faktorëve të koagulimit për shkak të ekstravazimit të gjakut.

Ai ka kërkuar që të bëhet autopsia për të parë arsyen e vdekjes dhe ka treguar që familjarëve të pacientit u janë sqaruar të gjitha detajet lidhur me gjendjen e tij dhe arsyet e intervenimit kirurgjik dhe të njëjtit juridikisht kanë pranuar që të kryhet intervenimi.

Ajo që ndodh në botë në plot raste të tilla, sipas Shalës, është se jepen faktorë koagulimi në periudhën postoperatore por sipas tij këtë nuk e ka bërë askush në kujdesin intensiv, pasi që Shala e kishte kryer ndërrimin e tij, dhe në rastin më të keq, ai tha substanca të tilla nuk ka fare në QKUK.

“Intervenimi është kryer me sukses dhe pacienti është shkëputur nga qarkullimi jashtëtrupor me lehtësi dhe ka dalë në kujdes intensiv stabil hemodinamikisht, madje me shtypje arteriale edhe 130/80. Ajo që ndodh rëndom te diseksionet e aortës është çrregullimi i rëndë i faktorëve të koagulimit për shkak të ekstravazimit të gjakut. Edhe në rastin e tillë kishte dëmtim koagulimi meqë gjatë 10 orëve në vijim, pacienti kishte pasur drenazhë më shumë sesa e tolerohet. Sot në botë në plot raste të tilla jepen faktorë koagulimi në periudhën postoperatore por ja që askush në kujdesin intensiv nuk e kishte ndërmarr një hap të tillë, e në rastin më të keq substanca të tilla nuk ka në QKUK” – ka shkruar Shala.

Shala thotë se pacienti ka qenë i monitoruar nga anesteziologu dhe për çfarëdo eventualiteti kirurgjik emergjent, përgjegjës ka qenë kardiokirurgu kujdestar, i cili sipas tij me gjasë nuk e ka parë të arsyeshme revizionin e pacientit.

“Sepse kirurgu operon pacientin dhe atë e le nën përkujdesjen e ekipit kujdestar, sepse pas një kujdestarie 24 orëshe në këmbë (si mjek i vetëm në klinikë) dhe me një operacion emergjent me kohëzgjatje disa orëshe gjatë gjithë natës nuk mund të pritet që të vazhdojë akoma ne klinikë ta përcjellë pacientin”- ka thënë ai më tutje.

Kardiokirurgu Shala ka folur edhe për rrezikshmërinë e diseksionit akut aortik, prej të cilit ka vuajtur pacienti në fjalë. Ai ka thënë se ajo paraqet emergjencë kardiokirurgjike dhe është jashtëzakonisht vdekjeprurës nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet me kohë.

“Përafërsisht 20% e pacientëve me diseksion të aortës vdesin para se të arrijnë në spital. Vdekshmëria për diseksion akut të aortës së patrajtuar arrin 50% në 24 orët e para. Nëse diseksioni shoqërohet me rupture të aortës (siç ka qenë rasti me pacientin ne fjalë) vdekshmëria shkon deri ne 90% ne orët e para.” – ka thënë ai.

Shala ka pasur kritika edhe ndaj punës së u.d. drejtorit të Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj për të cilin ka thënë se është arsyeja e rrënimit dhe problemeve ekzistenciale në Kardiokirurgji, për të cilat thotë se e ka njoftuar Drejtorinë Gjenerale.

Ai ka thënë se menaxhmenti në Kardiokirurgji ose duhet të shkarkohet dhe të hetohet rrënjësisht që tani ose të gjithë të tjerët do të shkaterrohen.

“Kushtet në të cilat punohet sot në Kardiokirurgji janë minimaliste. Cilësia është larg të pranueshmes dhe kriminaliteti i brendshëm duhet hetuar vërtetë. Duke njohur bekgraundin profesional dhe etik të Rifat Brahimaj nuk quditem për veprimin mjeran të cilin ka zgjedhur ta bëjë, ngase në PSEUDOKARDIOKIRURG me vetëm 16 MUAJ TRAJNIM ME KORRESPODENCË e me vdekshmëri që krahasohet me ato të laboratoreve eksperimentale (ftoj organet e hetuesisë ti shohin dosjet e statistikat) nuk ka aftësi e dijeni profesionale të gjykojë punën e dikujt tjetër. Mjerisht njerëz të tillë vendosen në pozita menaxheriale…” – ka shkruar Shala.

Postimit të tij, ai i ka bashkëngjitur një fotografi ku ka shkruar: Në foto Tyrone David (babai i operacionit David-prej te cilit mban emrin) dhe unë (Kushtrim Shala).

Ky është postimi i plotë i tij:

DISEKSIONI I AORTES ME RUPTURE, GJYKIMI PUBLIK DHE TENTIMI PER ELIMINIMIN PROFESIONAL TIMIN NGA “U.D. DREJTORI” I PUSHIMEVE DHE PREJ PUSHIMEVE

Pasi nuk mu dha mundësia që të bëj diskutim në kolegjiume profesionale që rëndom bëhen në çdo qendër të mirëfillt kardiokirurgjike,po ju drejtohem edhe unë mediave në cilësinë e Kardiokirurgut operator dhe njëherit kujdestar në kardiokirurgji me daten 03.01.2023. Për dallim nga ushtruesi I detyrës së drejtorit të Kardiokirurgjisë Rifat Brahimaj i cili pa qenë fare prezent dhe pa patur fare idenë për gjendjen e pacientit në pranim, rrjedhën e trajtimit (operacionit) dhe gjendjen në dalje të operacionit, pa kontaktuar fare me mua si kardiokirurg operator dhe pa kërkuar sqarim për rrjedhjen e operacionit (që ka të drejtë t’a bëj në cilësinë e u.d. drejtorit) thërret mediat dhe u flet per operacionin tim e madje dhe këtë e bënë duke qenë në pushim vjetor.

Diseksioni akut aortik paraqet emergjencë kariokirurgjike dhe është jashtzakonisht vdekjeprurës nese nuk diagnostikohet dhe trajtohet me kohë. Përafersisht 20% e pacienteve me diseksion te aortes vdesin para se të arrijnë në spital. Vdekshmëria për diseksion akut të aortës të patrajtuar arrin 50% në 24 orët e para. Nëse diseksioni shoqërohet me rupture të aortës (siq ka qene rasti me pacientin ne fjalë) vdekshmëria shkon deri ne 90% ne orët e para.

Pas thirrjes për konsultë urgjente nga Kardiologjia, e kam parë pacientin dhe kam vendosur indikaconin për operim emergjent. Pacienti ishte në margjinat e jetës. Ishte në iskemi të të gjitha organeve të trupit, me paralizë të extremiteteve të majta, shok kardiogjen, hypotension (për shkak të tamponadës).

Diseksioni I aortes ( çarja) kishte përfshirë aortën në tërë gjatësinë e saj (deri në bifurkacion) edhe enët supraaortike (te dy Arteriet karotide dhe dy arteriet subclavia), si dhe arteriet viscerale .

Famijareve u janë sqaruar të gjitha detajet lidhur me gjendjen e tij dhe arsyeshmërinë e intervenimit kirurgjik. Të cilët kanë juridikisht kanë pranuar, që të kryhet intervenimi.

Pas përgatitjes për operim kam kërkuar asistencë nga mjeku në gadishmeri dr. Endrit Shala, i cili i është përgjigjur thirjes menjëherë.

Pacienti në shok kardiogjen i është nënshtruar indukimit të anestezionit.

Kemi filluar operimin. Pas kanulimit aksillar te djathtë (right upper brachial) është bërë hapja e krahërorit ku kemi gjetur tamponadë dhe rupturë të Aortes ascendente (aortic root). Meqë paraprakisht pacienti ishte kanuluar për qarkullim jashtëtrupor (CPB), në këto momente nuk kishte fare rrezik jetë për pacientin përkundër ruptures prezente.

Muri I aortës ishte komplet i çarë dhe çarja (tear) kishte ndodhur mu në rrënjë të aortës, mes ostiumit koronar të majtë dhe atij të djathtë. Por që valvula aortale ishte e shëndoshë pa lezione, por me regurgitim masiv, ashtu siç ndodh në pacientët e tillë pothujse çdo herë.

Në një konfiguracion të tillë patologjik, duke qenë rrënja e Aortës komplet e shkatërruar, vendosa ta ruaj valvulën aortale sepse ajo ishte e shëndoshë dhe kështu veprohet kudo në botë. Çfarëdo procedurë tjetër që e largon valvulën e shendosh nga pacienti është MALPRAKTIKË ( MALPRACTICE).

Andaj intervenimi është kryer me sukses dhe pacienti është shkëputur nga qarkullimi jashtëtrupor me lehtësi dhe ka dalur në kujdes intensiv stabil hemodinamikisht, madje me shtypje arteriale edhe 130/80

Ajo që ndodh rëndom tek diseksionet e aortës është çrregullimi i rëndë i faktorëve të koagulimit për shkak të ekstravazimit të gjakut. Edhe në rastin e tillë kishte dëmtim koagulimi meqë gjatë 10 orëve në vijim, pacienti kishte pasur drenazhë më shumë sesa e tolerohet. Sot në botë në plot raste të tilla ipen faktorë koagulimi në periudhën postoperatore por ja që askush në kujdesin intensiv nuk e kishte ndërmarr një hap të tillë, e në rastin më të keq substanca të tilla nuk ka në QKUK.

Pacienti ka qenë i monitoruar nga anesteziologu dhe për çfarëdo eventualiteti kirurgjik emergjent, përgjegjës ka qenë kardiokirurgu kujdestar, i cili me gjasë nuk e ka parë të arsyeshme revizionin e pacientit. Sepse kirurgu operon pacientin dhe atë e le nën përkujdesjen e ekipës kujdestare, sepse pas një kujdestarie 24 orëshe në këmbë (si mjek I vetëm në klinikë) dhe me një operacion emergjent me kohëzgjatje disa orëshe gjatë gjithë natës nuk mund të pritet që vazhdoj akoma ne klinikë ta përcjell pacientin.

Rastet e tilla të vdekjeve brenda spitalore kërkoj që të bëhet autopsia për të parë arsyen e vdekjes.

Poashtu inicimi i çfarëdo hetimi në Kardiokirurgji është mëse i nevojshëm sepse Kardiokirurgjia është në margjinat e ekzistencës.

Komentimi i ushtruesit të detyrës së drejtorit aktual të Klinikës lidhur me rastin dhe atë komentim në media pa i diskutuar fare në konziliumet prefesionale, është jo etik, jo profesional, kriminal, sepse ka të bëjë me tendencën për eliminim të kolegut.

Unë madje tashmë disa vite kam informuar Drejtorinë Gjenerale për problemet ekzistenciale në Kardiokirurgji. Opinioni po ashtu e di që rrënimi i saj tashmë ka ndodhur prej Rifat Brahimaj. Kushtet në të cilat punohet sot në Kardiokirurgji janë minimaliste. Cilësia është larg të pranueshmes dhe kriminaliteti i brendshëm duhet hetuar vërtetë. Duke njohur bekgraundin profesional dhe etik të Rifat Brahimaj nuk quditem për veprimin mjeran të cilin ka zgjedhur ta bëjë , ngase në PSEUDOKARDIOKIRURG me vetëm 16 MUAJ TRAJNIM ME KORRESPODENCË e me vdekshmëri që krahasohet me ato të laboratoreve eksperimentale (ftoj organet e hetuesisë ti shohin dosjet e statistikat ) nuk ka aftësi e dijeni profesionale të gjykoj punën e dikujt tjetër. Mjerisht njerëz të tillë vendosen në pozita menaxheriale…

Menaxhmenti në Kardiokirurgji ose duhet të shkarkohet dhe të hetohet rrënjësisht që tani ose të gjithë ne të tjerët do të shkaterrohemi.

Tjetersimi i këtij postimi do ketë pasoja ligjore! Mund te botohet vetëm si i plotë!

P.s.Në foto Tyrone David (babai i operacionit David-prej te cilit mbanë emrin) dhe unë (Kushtrim Shala)