Ilustrim

Autorizohet Policia që të hetojë vdekjen që ndodhi në QKUK pas një operacioni në zemër

Policia e Kosovës është autorizuar nga Prokurori i Shtetit që t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme me qëllim të sqarimit të rastit të vdekjes së një pacienti, i cili vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Siç pretendohet vdekja e pacientit ka ndodhur pas një operacioni që kreu kardiokirurgu Kushtrim Shala.

Kjo është konfirmuar për KALLXO.com nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme, me qëllim të sqarimit të kësaj çështjeje dhe eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të ndonjë vepre penale, do të veprohet tutje me këtë rast” – ka thënë Ulaj.

Operimi i pacientit kishte ndodhur më 3 janar 2023, e për këtë operacion të rrallë, të quajtur “David”, kishte njoftuar vetë kardiokirurgu Kushtrim Shala. Njoftimin, të shoqëruar me pamje, ai e kishte publikuar në Facebook.

Por, më pas ka pasur lajme se pacienti kishte vdekur disa orë pas operacionit.

Në lidhje me rastin kishte reaguar edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj.

Ai për Telegrafin kishte thënë se Shala ka kryer një operacion për të cilin është dashur përvoja të cilën nuk e ka pasur dhe se operimi është kryer nga persona jokompetentë.

Pas kësaj ka reaguar edhe mjeku Kushtrim Shala duke e shpjeguar rrjedhën e ngjarjes sipas tij.

Ai ka thënë se komentimi i tij lidhur me rastin pa diskutuar fare në konziliumet profesionale është joetik, joprofesional dhe kriminal, sepse, sipas tij, ka të bëjë me tendencën për të eliminuar kolegun.

Drejtori Brahimaj, sipas Shalës, ka qenë në pushim vjetor, nuk ka qenë fare prezent dhe nuk pasur idenë për gjendjen e pacientit në pranim, rrjedhën e trajtimit (operacionit) dhe gjendjen në dalje të operacionit e as nuk ka kontaktuar atë si kardiokirurg operator për të kërkuar sqarim për rrjedhën e operacionit.

Shala në reagimin e tij në Facebook ka thënë se intervenimi është kryer me sukses bashkë me asistencën e mjekut në gatishmëri doktor Endrit Shala, mirëpo ajo që ka ndodhur te pacienti dhe që, siç thotë Shala, ndodh rëndom te diseksionet e aortës, është çrregullimi i rëndë i faktorëve të koagulimit për shkak të ekstravazimit të gjakut.

Shala po ashtu ka kërkuar që të bëhet autopsia për të parë arsyen e vdekjes dhe ka treguar që familjarëve të pacientit u janë sqaruar të gjitha detajet lidhur me gjendjen e tij dhe arsyet e intervenimit kirurgjik dhe të njëjtit juridikisht kanë pranuar që të kryhet intervenimi.

Reagon kirurgu që kreu operacionin “David” në QKUK, kritikon u.d. drejtorin për sulmet “nga pushimet”