Kontroll për COVID-19 në Wuhan - Foto: REL/Reuters

Numri i vdekjeve nga coronavirusi në botë shkon në mbi 400 mijë

Numri i vdekjeve nga coronavirusi, në nivel global, ka kaluar shifrën 400 mijë, ndërkaq numri i të infektuarve ka arritur në afro 7 milionë.

Amerika Latine vazhdon të jetë një nga rajonet që po goditet më së keqi nga coronavirusi, teksa dy shtete me popullsi të madhe, India dhe Indonezia kanë raportuar rritje të rasteve me COVID-19, sëmundjen që e shkakton coronavirusi.

Universiteti Johns Hopkins – që po mbledh të dhënat e rasteve dhe vdekjeve nga coronavirusi – më 7 qershor tha se numri i viktimave nga COVID-19 ka arritur në 400,013 persona.

Ndërkaq, mbi 6,9 milionë persona në mbarë botën janë infektuar me coronavirus.

Në Kinë, ku u paraqitën rastet e para me coronavirus në fund të vitit të kaluar, në baza ditore po raportohet për raste të reja, ndonëse nuk është konfirmuar vërtetësia e shifrave të raportuara.

Në Shtetet e Bashkuara, mbi 109 mijë persona kanë vdekur nga coronavirusi, ndërkaq 1,9 milionë janë infektuar nga ky virus./REL