![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2016/06/gjykata-themelore-prishtine-4.jpg)
Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com
Një muaj paraburgim serbit të dyshuar për krime lufte
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur për masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Sergjan Lazoviq, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se Gjykata ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.L për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Krime të luftës kundër popullsisë civile”, transmeton Telegrafi
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.L dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në njoftim.
Tutje, theksohet se Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse nëse i pandehuri S.L lihet në liri, i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për procedurën penale, ka rrezik të ikjes së tij dhe në këtë mënyrë mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./Telegrafi.com