Një i vdekur dhe 14 të lënduar në aksidentin mes një veture dhe autobusit në Keqekollë

Një person ka vdekur dhe katërmbëdhjetë të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti mes një veture dhe një autobusi.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur sot, më 27.06.2024 në Keqekollë të Prishtinës.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 14:30, është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në fshatin Keqekollë të  Prishtinës. Deri më tani bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë një autobus dhe një veturë. Për pasojë një person ka humbur jetën ndërkaq katërmbëdhjetë të tjerë kanë kërkuar ndihmën mjekësore”- ka thënë Borovci.

Sipas organeve të rendit, njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti.