Thirrje për ‘Protestë n'ballkon” kundër politikës në kohën e coronavirusit

Në rrjetin social Facebook një grup i aktivistëve kanë bërë thirrje që sonte në mbrëmje të protestohet nëpër ballkone kundër politizimit në kohën e coronavirusit në Kosovë.

Replikë”, një faqe në Facebook përmes një njoftimi thekson se qytetarët e Kosovës në kohë pandmie po përballemi me interesa personale dhe partiake të politikanëve të Kosovës.

Deri tani, rreth 900 persona e kanë konfirmuar pjesëmarrjen ndërsa mbi 2 mijë janë shprehur “të interesuar” të marrin pjesë.

“Në një kohë kur të gjithë do të duhej të ishin të bashkuar dhe të unifikuar që të punojnë në menaxhimin e situatës të shkaktuar nga pandemia COVID-19, politikanët e Kosovës po keqpërdorin pushtetin e tyre politik për të krijuar drama dhe pasiguri në një kohë kur vendi duhet të jetë i mobilizuar karshi pandemisë së virusit”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, sot më 19 mars përmes daljes të secilit prej neve në ballkon ose dritare në ora ‪20:00 për 5 minuta në të gjithë Kosovën do të krijohet zhurmë me mjete të ndryshme të cilat nuk janë të rrezikshme si (çelësa ose tenxhere dhe lugë) “për të kërkuar reflektim nga të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit institucional në Kosovë ndaj situatës së krijuar dhe panikut që është duke e përjetuar çdo shtetas i Kosovës”.

Mes kritikave për politizim të gjendjes nga coronavirusi, pandemi kjo e përhapur në mbarë botën, kurse në Kosovë deri më tani me 20 raste të konfirmuara, udhëheqësit shtetërorë janë përplasur në atë se kush duhet ta menaxhojë situatën.