Ilustrim

Nga fillimi i korrikut ndërmarrjet publike dhe private duhet t'i dorëzojnë faturat nëpër zarfe

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka kërkuar nga ndërmarrjet publike dhe private që të mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve gjatë shpërndarjes së faturave te konsumatorët.

AIP ka njoftuar se në fund të muajit shkurt 2024, ka kërkuar që faturat të vendosen nëpër zarfe kur të njëjtat të shpërndahen te qytetarët. Ndërsa afati për plotësim të kësaj kërkese ka qenë fundi i muajit qershor, saktësisht 30.06.2024.

“Kërkesa është adresuar për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, duke parandaluar ekspozimin e paautorizuar të tyre” – thuhet në njoftimin e AIP-së më 02.07.2024.

Në kuadër të sigurimit të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar nga ndërmarrjet publike dhe private që shpërndarjen e faturave ta bëjnë në formën që garanton mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve nga ekspozimi dhe qasja e paautorizuar.

“Rrjedhimisht, Ndërmarrjet Publike dhe Private janë të obliguara të ndërmarrin masat e duhura të sigurisë me rastin e ofrimit të shërbimeve për qytetarët (shpërndarjes së faturave) dhe të vendosin masat e duhura teknike dhe organizative për të siguruar një nivel sigurie të përshtatshëm ndaj rreziqeve të mundshme të keqpërdorimit të të dhënave personale të qytetarëve” – theksohet në njoftim.

AIP kërkon nga këto ndërmarrje publike zbatimin e rregullave dhe standardeve për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Kosovës siç përcaktohet me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Qëllimi i  Agjencisë për Informim dhe Privatësi është përmbushja e mandatit të saj ligjor në mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve për të  parandaluar ekspozimin e paautorizuar të tyre.

Muaj më parë, AIP kishte njoftuar që kërkesa është dërguar te Ndërmarrjet Publike Qendrore dhe Lokale: Ndërmarrja Publike Qendrore “KEDS’’, Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina’’ Prishtinë, Ndërmarrja Publike “Termokos”, Sh.A, në Prishtinë, Ndërmarrja Publike “Hidromorava” Gjilan, Kompania Rajonale “Hidrodrini” Pejë, Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Bifurkacioni” Ferizaj, Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” Sh.A- Prishtinë, Kompania Rajonale për Mbeturina “Ekoregjioni” sh.a në Prizren, Kompania Rajonale për Mbeturina N.P.L “Higjiena” në Deçan, Ndërmarrja Publike e Ujësjellësit “Mitrovica” në Mitrovicë, Kompania Rajonale për Mbeturina “Çabrati” në Gjakovë, Kompania Rajonale për Mbeturina “Ecohigjiena” në Gjilan, Kompania Rajonale për Mbeturina “Pastërtia” në Ferizaj, Kompania Rajonale për Mbeturina “Ambienti” SHA në Pejë dhe Kompania Regjionale e Ujësjellësit KRU “Hidroregjioni Jugor” sh.a, në Prizren.

Komisionerja e AIP-së, Krenare Sogojeva në muajin mars 2-24 kishte thënë se do të bëjnë inspektim nëse është duke u respektuar kjo kërkesë ligjore dhe nëse gjejnë shkelje ndërmarrjet mund të dënohen nga 20-40 mijë euro minimalja dhe nëse shkeljet janë të vazhdueshme gjoba mund ta mbyllë edhe ndërmarrjen.