Nënshkruhen tri marrëveshje mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me 5 homologët e tij nga Shqipëria, Bosnja Hercegovina, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbia kanë nënshkruar tri marrëveshje të bashkëpunimit rajonal në kuadër të Samitit të Berlinit.

Marrëveshjet që janë nënshkruar mes këtyre 6 vendeve janë ato për lirinë e lëvizjes me ID karta, për njohjen e institucioneve të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

Nënshkrimi i këtyre 3 marrëveshjeve mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, vie pas gati dy viteve negociata.

Marrëveshjet e nënshkruara në Berlin më 3 nëntor 2022 mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor -Infografika: KALLXO.com

Sot në kryeqytetin gjerman, Belin do të mbahet Samiti i Berlinit, ku nikoqir është kancelari gjerman Olaf Scholtz.

Procesi i Berlinit u themelua në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares Angela Merkel.

Kjo iniciativë kishte qëllim krijimin e platformës për bashkëpunim të nivelit të lartë midis përfaqësuesve të lartë zyrtarë  “Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor” ku bëjnë pjesë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Procesi përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile të rajonit.

Samiti i ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit pritet të mbahet, vitin tjetër, në Tiranë.

‘Fotografia familjare’ e Samitit të Berlinit