‘Fotografia familjare’ e Samitit të Berlinit
Ashtu siç edhe e do zakoni, pjesëmarrësit e Samitit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor kanë realizuar ‘fotografinë familjare’ në ambientet kancelarisë gjermane.
Duke qenë të renditur para flamujve të vendeve pjesëmarrëse, liderët e Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, me në qendër kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kanë realizuar fotografinë e tyre.
Në fotografinë e publikuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, shihet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë Edi Rama janë të renditur pranë njëri tjetrit.
Ndërsa në pjesën tjetër është ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.
Sot në kryeqytetin gjerman, Berlin do të mbahet Samiti i Berlinit, ku nikoqir është kancelari gjerman Olaf Scholtz.
Gjashtë liderët nga vendet e Ballkanit Perëndimor do nënshkruajnë tri marrëveshje, ku përfshihet liria e lëvizjes, njohja e diplomave universitare dhe kualifikimit profesional.
Procesi i Berlinit u themelua në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares Angela Merkel.
Kjo iniciativë kishte qëllim krijimin e platformës për bashkëpunim të nivelit të lartë midis përfaqësuesve të lartë zyrtarë “Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor” ku bëjnë pjesë Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Procesi përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile të rajonit.
Samiti i ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit pritet të mbahet, vitin tjetër, në Tiranë.