Negocimi për dorëzim u bë brenda shtëpisë, Sokol Halili në vazhdimësi mbante armën në kokë

I dyshuari për vrasjen e gruas së tij Hamide Magashit, Sokol Halili sot ka kryer aktin e vetëvrasjes para zyrtarëve policorë të cilët kishin lokalizuar vend ndodhjen e tij.

Sokol Halili gjendej në arrati që nga mbrëmja e 30 nëntorit ndërsa ai sot ishte duke qëndruar në shtëpinë e familjarëve të tij.

Burime të KALLXO.com brenda prokurorisë në Ferizaj, tregojnë se Sokol Halili në vazhdimësi kishte mbajtur armën në kokë gjatë kohës sa së bashku me zyrtarët policorë po negocionte për dorëzimin e tij.

I dyshuari vetëvrasjen po dyshohet se e ka kryer në njërën nga dhomat e shtëpisë ku po qëndronte.

Tutje sipas burimeve të KALLXO.com, zyrtarët policorë kanë qenë duke negociuar me të dyshuarin brenda shtëpisë.

Zyrtarët policorë kanë qenë në korridorin e shtëpisë, ndërsa i dyshuari në dhomë.

Sokol Halili i dyshuari kryesor për vrasjen e gruas së tij Hamide Magashi, ka kryer vetëvrasje në shtëpinë e familjes së tij.

Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka thënë për KALLXO.com se trupi i pajetë është tërhequr menjëherë nga vendi i ngjarjes.

“Trupi i viktimës është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij” – ka thënë Jashari nga vendi i ngjarjes.

Sokol Halili kishte më shumë se 40 orë që po kërkohej nga organet e rendit në lidhje me vrasjen që ndodhi në orët e para të mbrëmjes së 30 nëntorit, para QKUK-së.

Halili dyshohej se kreu vrasjen e gruas së tij e cila ishte edhe shtatzënë.

Ajo është varrosur gjatë ditës së sotme në Lipjan.

KALLXO.com raportoi se fillimisht ishte lokalizuar vend ndodhja e Halilit e cila ishte shtëpia familjare në Komunën e Shtimes. Pas lokalizimit të vendit policia ka nisur negociatat për dorëzim me babanë e të dyshuarit dhe me këtë të fundit.

Ai në prezencë të policisë ka kryer aktin e vetëvrasjes.