Ilustrim

Në muajin e pandemisë shtrenjtohet buka, drithërat dhe pemët në Kosovë

Në muajin mars, kur edhe filloi pandemia e virusit “COVID-19” , çmimet e konsumit, e posaçërisht buka, drithërat dhe ushqimet e ëmbla u shtrenjtuan në raport me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Rënia e çmimit të naftës dhe benzinës ndikoi në neutralizimin e çmimeve aty ku pati rritje çmimesh.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte (-0.1%) në muajin mars 2020 krahasuar me muajin shkurt 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupi i COICOP-it: përdorim i pajisjeve për transportin personal (-6.4%) – (rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës) me një ndikim të këtij nëngrupi prej (-0.5%) në IHÇK”, thuhet në njoftimin e ASK-së

Ndërsa, ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet: bukë dhe drithëra 0.2 përqind; mish 0.4 përqind; pemë 7.2 përqind; sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira 1.6 përqind; pije alkoolike 2.1 përqind; veshje 2.4 përqind; mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 1.5 përqind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 përqind në IHÇK. Si dhe, ndryshimet e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve te disa nëngrupe, pa ndonjë ndikim në IHÇK.

Norma vjetore e inflacionit, e matur në muajin mars 2020 me muajin mars 2019, ishte 0.7 përqind.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë për 0.7 përqind në muajin mars 2020, krahasuar me muajin mars 2019.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra 2.0 përqind; mish 2.9 përqind; qumësht, djathë dhe vezë 2.0 përqind; vajra dhe yndyrëra 2.5 përqind; pemë 13.0 përqind; sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira 4.4 përqind; produkte të ndryshme ushqimore, kripëra, erëza etj., 4.2 përqind; kafe, çaj dhe kakao 10.8 përqind; ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet 1.7 përqind; energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera 0.4 përqind; drunj për ngrohje, enë, takëme dhe mjete të ndryshme të kuzhinës 2.2 përqind; mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 4.7 përqind; produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje 3.6 përqind; shërbime ambulatore (6.1%); blerje e automjeteve (1.7%); shërbime hoteliere (2.5%); gjëra personale (4.2%); sigurime 19.2 përqind; sigurim i automjeteve, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.8 për qind në IHÇK.

Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet: perime -13.7 përqind; veshje -0.9 përqind; përdorim i pajisjeve për transportin personal -7.5 përqind – (rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës), shërbime të transportit -2.7 përqind – (rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.1 për qind) në IHÇK. Si dhe ndryshimet e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve te disa nëngrupeve pa ndonjë ndikim në IHÇK.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura përmes publikimit të indeksit “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin mars 2020.