Ndalohet autobusi me 57 emigrantë ilegalë në Obiliq, 48 prej tyre shtetas sirianë

Një person i dyshuar për trafikim me emigrantë është arrestuar nga Policia në fshatin Milloshevë të Obiliqit.

I njëjti në momentin e ndalimit ishte duke bartur me autobus 57 shtetas të huaj, 48 prej tyre shtetas sirian.

“Në fshatin Milloshevë të Obiliqit, më 01.06.2022 rreth orës 22:00, është ndaluar për kontrollim nga zyrtarët policorë të Njësisë së Trafikut Regjional të Prishtinës një autobus.  Autobusi me targa vendore dhe me drejtues S.U., (viti i lindjes 1988, mashkull kosovar), kishte në bord 57 shtetas të huaj, 48 nga Siria, 5 nga Egjipti, 2 nga Iraku, 1 nga Palestina dhe 1 nga Bangladeshi”, bën te ditur Policia.

Sipas Policisë dyshohet se shtetasit e huaj kishin ardhur përmes rrugëve ilegale nga Turqia dhe synim të mbërritjes kishin shtetet e perëndimit.

“Rasti, emigrantët janë trajtuar nga zyrtarë policorë nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj dhe të njëjtit janë dërguar në Qendrën e Azilit në Magure. Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe në koordinim me të ndaj drejtuesit të autobusit është iniciuar rasti ‘kontrabanda me emigrantë’. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe më pas me aktvendim nga prokurori i njëjti dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë.