Ndalet rryma në rastin “Hidrocentralet”

Në Gjykatën e Prishtinës ku po mbahet seanca për rastin e njohur si “Hidrocentralet” ndaj ish-ministrave të qeverisë “Thaçi 2”, është ndalur energjia elektrike.

Si pasojë, kjo po e pamundëson vazhdimin e seancës. Monitoruesja e KALLXO.com raporton se të gjithë të pranishmit janë larguar nga salla.

Besim Beqaj, Mimoza Kusari – Lila, Nenad Rashiq dhe Dardan Gashi anëtar të Komitetit Qeveritar për Privatizim po akuzohen nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me rastin kur kishin vendosur që hidrocentralet të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik””.

Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve ishte përmbyllur procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore.

Më 18 maj 2021 KALLXO.com raportoi për konfirmimin e aktakuzës, ndaj të akuzuarve në këtë rast. Përderisa në tetor të vitit të kaluar gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pa fajshëm.

Disa muaj më parë Gjykata e Prishtinës mori aktvendimin, me të cilin vendosi që të refuzonte kërkesat e avokatëve për të akuzuarit Mimoza Kusari – Lila, Besim Beqaj, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka, ndërsa ndaj zyrtarëve të tjerë Fadil Çitakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu dhe Krenar Bujupi e kishte pushuar aktakuzën.

Ata akuzohen se kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qera mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet t‘i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese.

Më tej në aktakuzë thuhet se dëmi tjetër i shkaktuar direkt është vlera e investuar (shtuar) në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve para koncesionit, sepse KEK-u nuk ka bërë regjistrimin dhe nuk ka prezantuar vlerën e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së mjeteve të bazuara në regjistrimin e vitit 2003, dëm ky që edhe më tutje vazhdon të shkaktohet në mënyrë të përhershme.

Prokuroria pretendon se me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.