Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nagavci: Shërbimet për personat me nevoja të veçanta nuk ofrohen nga shteti

Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, gjatë debatit parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me nevoja të veçanta në Republikën e Kosovës, tha se ka probleme në disa fusha.

Sipas Nagavcit mungon qendra për diagnostikimin e personave me nevoja të veçanta gjë që sipas saj shumë fëmijë që janë me nevoja të veçanta nuk kanë diagnozë ose kanë diagnozë që bëhen nga individ e jo nga ekipi multifunkional.

“Mungojnë shërbimet rehabilituese, që ofrohen nga shteti si shërbimet neurologjike, fizike, terapia e të folurit, shërbime psikologjie dhe shumë shërbime të tjera që janë jetike për personat me nevoja të veçanta. Pajisjet asistive për personat e verbër, për ata që nuk dëgjojnë, etj”, tha Nagavci.

Në mungesë të këtyre shërbimeve Nagavci tha se familjarët detyrohen të paguajnë në mënyrë private këto shërbime të cilat kushtojnë jashtëzakonisht shumë.

“Shteti nuk i ofron këto shërbime e familjarët nuk kanë mundësi financiare ti paguajnë këto”, shtoi Nagavci.

Sipas saj personat me nevoja të veçanta në Kosovë nuk kanë qasje të barabartë në arsim, në punësim, në shëndetësi, në shërbime sociale e as mbështetje juridike.