Në këtë rast, Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë padinë si të pabazuar, vetëm për shkak se ne e kemi paditur ministrin dhe ky është një sinjal i qartë që gjykatat janë nën presion politik.
Radio Evropa e Lirë: Fjalën ofenduese për shqiptarët, siç e potencuat, e flasin edhe deputetë të caktuar të shumicës në pushtet në foltoren e kuvendit. Kjo ndodh edhe para përfaqësuesve të pakicës kombëtare shqiptare në kuvend. Si e vlerësoni qëndrimin e autoriteteve ndaj përfaqësuesve politikë të shqiptarëve, të cilët kanë fituar tri vende në zgjedhjet e fundit?
Ragmi Mustafi: Mendoj se deputetët tanë dhe posaçërisht, e veçoj Shaip Kamberin, i theksojnë mirë problemet e shqiptarëve në shtëpinë më të lartë të Republikës së Serbisë. Por, si sillet qeveria ndaj tyre? Është sjellja e njëjtë sikurse ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës – injorim i përditshëm dhe i tërësishëm i problemit. Nuk është kjo mënyra që të zgjidhen problemet e këtushme.
Nuk është mënyra e duhur që t’i thuhet dikujt ‘e dini çfarë, ju jeni në Republikën e Serbisë dhe në rast se nuk doni të jetoni këtu, shkoni diku tjetër’. Me këtë nuk tregoni vullnet e për më shumë nuk tregoni mirëkuptim për çështjet e pakicave. Sipas mendimit tim, me disa deklarata të ministrit Vullin dhe të tjerëve, vetëm sa tregohet një lloj qasjeje fashiste ndaj pakicave.
Vetë ministri Vullin ka thënë “kush guxon t’u kërcënohet gjykatave në Serbi me Strasburgun?”. E kush guxon kështu që të sillet ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës? Fakti që dikush është ministër ose qeveri, kjo nuk nënkupton se ata guxojnë krejt dhe gjithçka edhe nëse kanë ndikim në gjykata, në polici dhe gjithkund në institucionet e pavarura, si dhe që në atë mënyrë t’i injorojnë plotësisht shqiptarët në Luginën e Preshevës.
“Injorimi i tërësishëm” i problemit të shqiptarëve në Serbi
Radio Evropa e Lirë: Në rrjetet sociale u keni bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim të Evropës (OSBE), që “të mos e kthejnë kokën prej qëndrimit autoritar dhe diskriminues të autoriteteve në Beograd ndaj pakicave”. A keni biseduar tashmë me përfaqësuesit ndërkombëtarë?
Ragmi Mustafi: Në çdo takim me përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Serbisë, ne i paraqesim pikëpamjet tona për zgjidhjen e problemeve jetësore të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe në Serbi.
Ne mendojmë se një nga problemet më të mëdha është pasivizimi masiv dhe selektiv i vendbanimeve. Ka më shumë se 4 mijë shqiptarë, të cilëve u është pasivizuar vendbanimi në Medvegjë, ndërkaq në numër më të vogël edhe në Preshevë dhe Bujanoc. Me këtë pezullohen të drejtat qytetare të shqiptarëve që janë shtetas të Republikës së Serbisë.
Në mënyrë të njëjtë, ne i paraqesim qëndrimet tona, para qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare, lidhur me disa marrëveshje të nënshkruara –nga ajo për çmilitarizim e vitit 2001, të cilën ne e quajmë “Marrëveshja e Konçulit”, në të cilën qeveria federale atëherë mori përsipër të realizojë të drejtat individuale dhe kolektive të shqiptarëve, përmes një procesi demokratik, e të cilat janë të garantuara nga Kushtetuta e Serbisë.
Por, kjo nuk ka ndodhur. Dy nga katër qëllimet e asaj marrëveshjeje janë: përmirësimi i shpejt ekonomik, si dhe integrimi i shqiptarëve në institucionet publike dhe shtetërore. Ato nuk kanë ndodhur kurrë.
Më pas, kemi marrëveshjen e vitit 2007, gjegjësisht marrëveshjen për riorganizimin e Trupit koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike.
Kemi edhe marrëveshjen e tretë, të vitit 2013, “planin me shtatë pika”, i cili u miratua nga ana e Qeverisë së Serbisë, që përmes dialogut me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve, të realizohen të drejtat e pakicave.
Që nga viti 2001 e këndej, është e dukshme që bashkësia ndërkombëtare dhe Qeveria e Serbisë nuk janë marrë seriozisht me problemet e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ne kemi numër të tmerrshëm të të papunësuarve. Kemi numër të madh të njerëzve që kanë diplomuar në Kosovë, ndërkaq që ato diploma nuk janë pranuar edhe pse pranimi i tyre ishte paraparë me marrëveshjet. Gjithashtu, nuk ka integrim të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Vetëm në Spitalin e Vrajës, spitalin rajonal për rajonin e Pçinjës, në të cilin komunat e Preshevës dhe Bujanocit e përbëjnë 30 për qind të popullatës, nuk është i punësuar asnjë shqiptar.
Keni institucionet tjera, kadastrën dhe të ngjashme, që funksionojnë në nivelin e qeverisjes lokale, ku nuk ka të punësuar asnjë shqiptar. Kjo vetëm sa tregon se si qeveritë e Serbisë i kanë injoruar tërësisht problemet e shqiptarëve.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë përgjigje merrni kur me qëndrimet e juaja i ballafaqoni përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë?
Ragmi Mustafi: Shikoni, në Serbi ekzistojnë 23 këshilla të pakicave kombëtare. Vetëm dy- tri prej tyre kanë probleme më të mëdha. Tash, kur ata (qeveria) mbase e krijojnë ndonjë të dhënë statistikore, nga 23 këshillat nacional, tre prej tyre nuk janë të kënaqur me standardet dhe me ato që u përcaktohet atyre. Por, pastaj kjo (qëndrimi i qeverisë) nuk ka asnjë lidhje me të drejtat e njeriut dhe të pakicave.
Dikur thuhej që një dialog do të fillohej me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve, por ai dialog nuk u iniciua, asgjë nuk u zgjidh.
Përmendet se shqiptarët nga Lugina e Preshevës janë peng i dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Derisa të mos zgjidhet kjo, statusi juridik i shqiptarëve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja nuk do të zgjidhet.
Lugina e Preshevës –“Urë për marrëdhënie të mira” ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës
Radio Evropa e Lirë: Keni kërkuar disa herë që çështja e pozitës së shqiptarëve në Serbi të përfshihet në dialogun e Brukselit (dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nën ombrellën e Bashkimit Evropian). Çfarë përgjigje keni marrë?
Ragmi Mustafi: Në qoftë se kanë kaluar 20 vjet dhe nuk janë zgjidhur shumë çështje serioze, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe të pakicës shqiptare (në Serbi), atëherë ne zgjidhjen e shohim në dialogun e Beogradit dhe Prishtinës. Ai dialog, në fund do të duhej të kishte një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Me atë marrëveshje gjithëpërfshirëse do të duhej të normalizoheshin marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por nuk mund të normalizohen pa Luginën e Preshevës, në mes. Do të thotë që Lugina e Preshevës është urë e marrëdhënieve të mira ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Në kërkesat tona, ne kemi marrë përgjigje nga Prishtina, se ata do të iniciojnë këtë çështje në dialog, por kjo mbetet të shihet.
Bashkësia ndërkombëtare dhe zyrtarët e Serbisë nuk janë prononcuar për këtë çështje sepse tek ata mbretëron, të them, një mendim se me këtë hapen shumë çështje. Por, kjo nuk është kështu.
Në rast se mund të hapet çështja e pakicës serbe në Kosovë, atëherë do të duhej të hapet edhe çështja e pakicës shqiptare në Serbi. Nuk do të duhej që në këtë pjesë të Ballkanit të kemi standarde të dyfishta – që njëra pakicë të trajtohet ndryshe nga një tjetër. Standardet e përbashkëta për pakicat i kontribuojnë paqes. Mendoj që paqja mund të arrihet me dialog serioz dhe me hapjen e çështjeve që kanë të bëjnë me pakicat kombëtare.
Investimet nga Serbia dhe nga Kosova, janë të mirëseardhura
Radio Evropa e Lirë: Ju keni kontakte të rregullta me autoritetet në Prishtinë, ndërkaq që Qeveria e Kosovës, në shtator të vitit të kaluar, ka paralajmëruar themelimin e Zyrës për ndihmë për qytetarët e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. A prisni që ai vendim të realizohet tash, pas zgjedhjeve parlamentare dhe pas formimit të qeverisë së re, si dhe a ka pasur reagime të autoriteteve në Beograd?
Ragmi Mustafi: Kjo është një zyrë pranë kryeministrit të Qeverisë së Kosovës. Ky ka qenë vendim i qeverisë, i cili është marrë në mbledhjen ku kanë qenë të pranishëm të gjithë ministrat dhe kanë votuar për të. Do të duhej të realizohej tash, kur të vijë kryeministri i ri sepse vendimet e qeverisë paraprake nuk mund të anulohen.
Mendoj se kemi bërë një hap të madh përpara me një vendim të tillë, vetëm që tash mbetet që zyra të formohet. Tash për tash (në Kosovë) nuk kanë ndonjë program për të hapur zyra të tjera në Luginën e Preshevës, por vetëm në Prishtinë.
Ne kemi biseduar lidhur me atë se e kemi një institucion në Kosovë, që merret me njerëzit nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Mendoj që është gjë e mirë, sepse me këtë u ndihmojmë edhe atyre që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, njëjtë sikurse edhe bashkëqytetarëve tanë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja që jetojnë në Kosovë, por të cilët kanë mbetur pa dokumente.
Një numër mjaft i madh i atyre që nuk janë kthyer pas viteve të 90-ta, pas luftës së vitit 2001 në Luginën e Preshevës, e të cilët kanë mbetur në Kosovë dhe nuk janë regjistruar, tashmë ligjërisht janë qytetarë të padukshëm atje.
Në të njëjtën mënyrë, ajo zyre do të duhej të ndihmonte komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, ashtu sikurse kohë më parë, Qeveria e Kosovës ndihmoi gjatë kohës së pandemisë me 500 mijë euro – 200 mijë euro ka marrë Presheva, 200 mijë Bujanoci dhe 100 mijë Medvegja.
Mendoj që investimet kapitale, të cilat do t’i ndihmonin bashkëqytetarëve tanë në këto tri komuna, janë të mirëseardhura. Në këtë kuptim, ne presim që ngjashëm të ndihmojë edhe Qeveria e Serbisë.
Pandemia nxori në pah nevojën për një spital të qarkut (rajonal)
Radio Evropa e Lirë: Ju e përmendët donacionin nga Qeveria e Kosovës gjatë pandemisë së koronavirusit. Por, si e vlerësoni raportin e Qeverisë së Serbisë ndaj Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, gjatë pandemisë?
Ragmi Mustafi: Gjatë pandemisë së koronavirusit është parë domosdoja që popullata shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të ketë spitalin e saj. Unë e kam iniciuar një nismë të tillë, ndonëse kjo nuk është pritur mirë në Serbi, për shkak se ekziston ligji për spitalet ose nuk di se çka. Por, një kërkesë e tillë gjendet në “planin prej shtatë pikave” me Qeverinë e Serbisë.
Gjegjësisht, pika e shtatë thotë – organizimi i sistemit të kujdesit shëndetësor dytësor për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Gjatë pandemisë u tregua që shqiptarët, në njëfarë mënyre ishin mjaft të frikësuar se nuk do të marrin kujdesin e duhur shëndetësor në spitalet në Vrajë dhe në Nish. Ndjenja e frikës është nxitur pas një periudhe të gjatë të diskriminimit të shqiptarëve.
Për sa i përket vaksinimit, mendoj se po zhvillohet siç duhet. Unë vetë e kam marrë vaksinën, për të treguar vullnetin dhe për t’i ftuar qytetarët që të marrin vaksinën sepse të gjithë ekspertët thonë që vetëm përmes vaksinimit mund të mundet koronavirusi. / REL