Mustafi: I kemi kërkuar Kurtit që çështja e Luginës të bëhet temë në dialogun Kosovë-Serbi

Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, në emisionin “Kallxo Përnime” ka deklaruar se kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që çështja e Luginës të bëhet temë në dialogun Kosovë- Serbi.

Përveç kësaj, Mustafi tregon çka i kishte kërkuar tjetër kryeministrit Kurti në takimin që kanë zhvilluar para një muaji.

“Respektojmë pa dyshim institucionet e Kosovës, pavarësisht kush udhëheq me to, sepse ndryshe do të ishte problematike dhe shtrojmë kërkesat e tona në raport me ambiciet politike. Ambiciet tona politike dihen botërisht që nga vitet e 90-ta. Ne jemi shumë të lumtur, dhe dëshirojmë që çështja e Luginës së Preshevës të bëhet fakt i pamohueshëm në dialogun Kosovë- Serbi në Bruksel. Sepse, konsiderojmë që përbën ekuivalencën e dialogut dhe njëkohësisht vë barazinë mes dy palëve. Deri tash nuk e di sa është përdorë kjo, nuk kemi raporte. Kryeministri Kurti në një mënyrë eksplicite e tha por në një formë të krijimit të reciprociteti për Këshillat Kombëtare. Botëkuptimi jonë për reciprociteti ka të bëjë me avancimin e të drejtave të komuniteteve”, u shpreh Mustafi.

“I kemi kërkuar [Kurtit] që çështja e Luginës të bëhet temë në dialogun Kosovë- Serbi. Kemi kërkuar që te kemi një strategji afatmesme së paku me Luginën e Preshevës, të ndahet një fond i veçantë përkatësisht një linjë buxhetore. Sa i ka futur në diskutim mbetet për t’u parë se nuk e dimë çka është folur në dialog”, ka thënë ai.

Javën e kaluar, kryeministri Albin Kurti ka mbajtur takim me presidentin e Serbisë Aleksander Vuçiq me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, në Bruksel.

Një nga katër propozimet që paraqiti kryeministri Albin Kurti javën e kaluar në takimin në Bruksel ka qenë që, në të dy vendet, Kosovë dhe Serbi, do të ketë reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.

Kurti kishte thënë se nga katër propozimet, tri janë refuzuar.