Mustafi: Ndihmat nga Kosova e Shqipëria për Luginën duhet të jenë të vazhdueshme e jo vetëm për raste emergjente

Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për ndihmat e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës.

Lidhur me fondin 100 mijë euro që ka ndarë Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur këtë të martë, për mbulimin e dëmeve nga vërshimet në komunën e Preshevës, Mustafi tha se duhet të ketë buxhet të vazhdueshëm nga qeveritë shqiptare dhe jo vetëm për raste emergjente.

“Në komunën e Preshevës kanë ndodhur vërshime në dy fshatra kryesisht Rahovicë dhe Raincë që kanë bërë dëme të jashtëzakonshme që janë duke u vlerësuar nga Komuna e Preshevës, krahas Tiranës dhe Prishtinës, tashmë edhe Qeveria e Kosovës ka ndarë për t’i ndihmuar, konsiderojmë që duhet të ketë një buxhet të vazhdueshëm për të ndihmuar, jo vetëm për raste emergjente por edhe për të ndërtuar një zhvillim sa i përket realizimit të të drejtave individuale dhe kolektive”, tha ai.

Mustafi ka thënë se vendimi i Qeverisë Hoti për themelimin Zyrës për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës, nuk është duke u zbatuar në praktikë.

“Në mandatin e kaluar të dy qeveritë kishin aprovuar fondin ndërshtetëror për Luginën e Preshevës, dhe mandatin e kaluar, kryeministri i kaluar aprovoi edhe një vendim që ishte Zyërn për Asistencë të Shqiptarëve të Preshevës, deri më tash nuk kemi pasur diçka konkrete, ajo që kemi kërkuar edhe Tiranës edhe Prishtinës është që te kem fillimisht një strategji afatmesme se si do të shkojë raporti i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe më pas të shofim për cështjet vitale të shqiptarëve që jetojnë atje”, u shpreh Mustafi.

“Një strategji afatmesme për t’u ndihmuar shqiptarët për të mbetur atje, që ka të bëjë me asistencë në arsim, kulturë, informim , në infrastrukturë dhe sigurisht ka të bëjë për internacionalizimin e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës që iu janë nënshtruar një diskriminimi selektiv nga Republika e Serbisë, e cila nuk ka përmbushur asnjëherë tri marrëveshje që ka arritur me përfaqësuesit politik e për të mundësuar që shqiptarët e Luginës të jetojnë normal”, u shpreh Mustafi kur u pyet se çka duhet të bëjë shteti kosovar për të ndihmuar shqiptarët atje.