Delegacioni i Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës takohet me presidenten Vjosa Osmani

Një delegacion i Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës, i përbërë nga Ragmi Mustafi, Lirona Zuka dhe Alban Alili, është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.

Sipas njoftimit, presidentja Osmani ka thënë se në vazhdimësi angazhohet për promovimin e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc dhe ka adresuar problemet me të cilat ballafaqohen këta qytetarë, siç janë pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave nga Serbia dhe problemet e vazhdueshme me punësimin.

“E keni mbështetjen time dhe ju siguroj se do të përpiqem që zëri juaj të dëgjohet. Qytetarët e Luginës së Preshevës janë brengë e jona e përhershme, dhe do të ndërmarrim çdo veprim të mundshëm për t`i ndihmuar sa më shumë”, ka theksuar presidentja Osmani.