Mungojnë vaksinat kundër gripit sezonal, mbi 9 mijë qytetarë të prekur

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP) kanë porositur 100 mijë vaksina kundër gripit sezonal (prej tyre 500 doza pediatrike), të cilat do të sigurohen përmes shërbimeve të prokurimit të UNICEF-it.

Këto vaksina pritej që të arrinin në Kosovë në ditët e para të dhjetorit.

Por, tash jemi në fund të javës së parë të dhjetorit dhe vaksinat ende nuk kanë arritur.

Ndërkohë janë paraqitur rreth 9.500 raste me grip sezonal.

Visar Shehu, drejtor i Shëndetësisë në Prizren tha se QKMF-të në Prizren nuk janë pajisur ende me vaksina kundër gripit.

Ai thotë se për furnizim me këto vaksina përgjegjëse janë organet më të larta shtetërore.

“QKMF në Prizren nuk është furnizu ende me vaksina kundër gripit. Ne nuk kemi të drejtën për kryerjen e këtyre procedurave, ne vetëm ofrojmë shërbimin”, tha ai për KALLXO.com.

Ndërsa sipas Faik Hotit, nga Divizioni i komunikimit me publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, këto vaksina pritet të arrijnë më 6 dhjetor, ndërsa do të shpërndahen në javën e ardhshme.

Hoti thotë se vonesa ka ndodhur për shkak se është hera e parë që përdoren vaksina 4 shtamëshe dhe kjo ka ndodhur edhe në vendet e rajonit.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dëshirojnë të rikujtojnë dhe informojnë qytetarët e Kosovës se, në funksion të parandalimit të gripit sezonal, MSh i ka porositur rreth 100 000 vaksina kundër gripit (prej tyre 500 doza pediatrike), të cilat janë porositur përmes shërbimeve të prokurimit të UNICEF-it. Vaksinat e porositura pritet të arrijnë në Kosovë ditën e premte (6 dhjetor), ndërsa shpërndarja e tyre do të fillojë javën tjetër”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas tij, vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren sivjet, sipas rekomandimeve të bëra nga OBSh, do të jenë katër shtamëshe, që e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj viruseve më agresive në qarkullim të gripit sezonal.

Hoti tha se me vonesa në furnizim janë përballur edhe disa vende të rajonit dhe më gjerë.

Vaksinat janë të dedikuara për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës, si të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundjet kronike.

Vaksinat e siguruara përmes UNICEF-it janë të parakualifikuara sipas standardeve të OBSh-së dhe garantojnë cilësinë dhe sigurinë e tyre.

Këto vaksina të blera nga MSh-ja dhe që kanë kushtuar 444.170 euro do t’i shpërndahen popullatës përmes IKSHKP-së dhe njësive të vaksinimit në QKMF-të e Kosovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ndërkaq i siguron qytetarët se po e monitoron me kujdes situatën epidemiologjike në vend dhe ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të gripit sezonal.