Mosmarrëveshja për servisimin e një veture që çoi në tentim vrasje, aktakuzë ndaj dy të dyshuarve

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, sot më datë 27.06.2024 ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve H. Z., dhe R. Z., për shkak se në bashkëkryerje pretendohet që kanë kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Sipas aktakuzës, më datë 10.05.2024 rreth orës 18:51 në rrugën “Transiti i Ri” në lagjen Arbana të Prizrenit, saktësisht në një auto-servis, me dashje fillojnë kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj të dëmtuarit J. B., të cilën nuk e përfundojnë.

Sipas Prokurorisë rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshje paraprake lidhur me servisimin e një veture që kishte ndodhur një ditë më parë, në mes të pandehurit H. Z., dhe të dëmtuarit J. B.

“Derisa i njëjti ishte duke punuar në brendësinë e një automjeti në punëtorinë e tij, për një moment paraqiten të pandehurit H. Z., dhe R. Z., të cilët pa ndërruar asnjë fjalë derisa i dëmtuari ndodhej brenda veturës dhe në pozicion të pa mbrojtur, të pandehurit nxjerrin thikat dhe me të njëjtat e godasin disa herë të dëmtuarin”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se i dëmtuari është goditur në pjesën e qafës dhe në regjionin e veshit të majtë derisa e vërejnë dëshmitarin Sh. B., i cili hyn në mes për të penguar sulmin e mëtejmë. I dëmtuari si rezultat i plagëve të marra me mjet të mprehtë, në pjesë vitale të trupit, përfundon në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Ndërkaq, të pandehurit me veturën e tyre të markës “Mercedes Benz 220C”, pas kryerjes së krimit largohen nga vendi i ngjarjes dhe bëhet e ditur që deri më datë 11.05.2024 bëhen të pa arritshëm për organet e ndjekjes.

Ndërsa, Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.