Foto: Kallxo.com

Monumentet e heronjve shkaktojnë ndasi në Mal të Zi

Ngritja e monumenteve për heronjtë dhe liderët ushtarakë shqiptarë dhe serbë ka shkaktuar polemika në Mal të Zi, me autoritetet që akuzohen se po kërkojnë avantazh politik nga politika e tyre zyrtare me standarde të dyfishta përsa i takon çështjes së memorizimit.

 

Në Malin e Zi multietnik, monumentet janë bërë objekt i një mosmarrëveshje të ashpër politike gjatë muajve të fundit, me komunitetet etnike shqiptare dhe serbe të vendit që akuzohen se po veprojnë në mënyrë provokuese duke ngritur monumente të figurave historike, gjë të cilën kundërshtarët e kësaj e konsiderojnë të papranueshme.

Shqiptarët kanë këmbëngulur se ata thjesht po nderojnë heronj të mirëfilltë, ndërsa serbët janë ankuar se autoritetet malazeze i kanë ndaluar ata të ngrenë ë statuja të serbëve të rëndësishëm nga aspekti historik, ndërkohë që shqiptarët i lejojnë të përkujtojnë këdo që ata dëshirojnë.

Ndërkohë, autoritetet janë akuzuar se po ndjekin qëllimisht një politikë të paqartë për t’u siguruar që qeveria të ruajë mbështetjen e partive të pakicave etnike shqiptare, boshnjake dhe kroate në koalicionin qeverisës.

Çështja u diskutua përsëri në gusht, kur në Tuz të Malit të Zi u zbulua një monument i nacionalistit shqiptar Dedë Gjo Luli, udhëheqës i një kryengritjeje të vitit 1911 kundër Perandorisë Osmane, gjë e cila u kritikua nga Fronti Demokratik Serb.

Përfaqësues të komunës me shumicë etnike shqiptare të Tuzit dhe të diasporës shqiptare zbuluan monumentin e liderit gueril nacionalist përpara shtëpisë së tij të mëparshme në fshatin Bardhaj.

Dedë Gjo Luli drejtoi një revoltë lokale kundër sundimit të Perandorisë Osmane në zonën e Malësisë në 1911 dhe gjithashtu mori pjesë në luftime në vitin 1879 pasi zonat e Plavës dhe Gucisë, ku jetojnë shumë shqiptarë, iu dhanë Princit të Malit të Zi.

Por monumenti u përshkrua si një provokim nga disa serbë të Malit të Zi, të cilët thanë se Luli kishte luftuar kundër malazezëve.

“Dedë Gjo Luli është i njohur për advokimin e idesë se zonat lindore të Malit të Zi, Plava dhe Gucia, zona afër kufirit me Shqipërinë, nuk i përkasin Malit të Zi,” tha në faqja serbo-malazeze e internetit in4s, e cila shihet si e afërt me aleancën e Frontit Demokratik.

Nikola Camaj, drejtuesi i partisë Aleanca Demokratike Shqiptare, insistoi megjithatë se Dedë Gjo Luli ishte një hero që meritonte vendin e tij në histori.

“Të gjithë ata që luftuan për çështjen shqiptare janë heronj dhe patriotë dhe jo figura polemike,” tha Camaj.

Një monument i liderit guerilas shqiptar Jusuf Celaj, i cili u ngrit në komunën e Vusanjes në vitin 2012, gjithashtu shkaktoi polemika.

Celaj dhe ushtarët e tij morën pjesë, krahas nazistëve, në një masakër në fshatin malazez të Velikës në korrik 1945, kur u vranë 500 gra dhe fëmijë.

Ligji i Malit të Zi për Monumentet ndalon nderimin e bashkëpunëtorëve të forcave okupuese, kriminelëve të dënuar të luftës, fashistëve dhe atyre që kanë mohuar shtetësinë e Malit të Zi.

Fronti Demokratik i kërkoi qeverisë ta hiqte monumentin, por ministri i lulturës Aleksandar Bogdanoviç tha se ai nuk kishte juridiksion që do ta lejonte atë ta bënte këtë.

Megjithatë, Ministria e Kulturës është organi shtetëror që jep leje për ngritjen e monumenteve dhe komunat janë përgjegjëse vetëm për zbatimin e urdhrave të ministrisë për t’i hequr ato nëse nuk kanë lejen e nevojshme.

“Abuzim politik”

Historiani Milos Vukanoviç pohoi se autoritetet qëllimisht lejojnë që polemika të acarohet pasi tensionet që janë krijuar shërbejnë për të larguar vëmendjen nga problemet sociale dhe ekonomike të vendit.

“Ekziston abuzim politik rreth çdo çështje mbi të cilën ka mosmarrëveshje të pjesshme në Mal të Zi. Në shumicën e rasteve, nuk ka të bëjë me monumentin, por qeveria dhe opozita po largojnë vëmendjen e publikut nga çështje socio-ekonomike në tema që janë tërheqëse për t’u diskutuar,” sugjeroi Vukanoviç.

Autoritetet ndjekin gjithashtu një politikë të paqartë për ngritjen e monumenteve për të shmangur shkaktimin e pakënaqësisë midis pakicave etnike të vendit, pretendoi ai.

“Në vend që të shpjegojë qartë arsyet e ngritjes së secilit monument dhe të parashtrojnë një shpjegim shkencor, qeveria është përgjigjur në mënyrë të vakët,” tha ai.

Megjithatë, qeveria nuk u përgjigj në mënyrë të vakët në korrik 2017, kur urdhëroi komunën e Andrijevicas që të hiqte një monument të Punisa Raciç, një deputet serb nga Mali i Zi që vrau liderin kroat Stjepan Radiç në parlamentin jugosllav në 1928, duke i hapur rrugën rrëzimit të demokracisë parlamentare në Jugosllavi menjëherë pas kësaj.

Pasardhësit e Raciç këmbëngulën se monumenti ishte ndërtuar në pronë private, por e hoqën atë përpara se autoritetet të vinin për ta rrëzuar.

Ndërkohë në vitin 2003, një përmendore për liderin e kohës së luftës të lëvizjes mbretërore çetnike në Mal të Zi, Pavle Djurisiç, u hodh në erë me dinamit nga autoritetet. Monumenti në fshatin Zaostro u ndërtua pa leje dhe heqja e tij u shoqërua me masa të rrepta policie për shkak të frikës nga dhuna e mundshme nga admiruesit e Djurisiçit.

Mbështetësit e Djurisiçit pretendojnë se ai ishte një antifashist dhe luftëtar për çlirimin e Malit të Zi, por disa historianë insistojnë që ai personalisht e çoi ushtrinë çetnike në beteja të ashpra me partizanët komunistë në Mal të Zi në emër të ushtrisë italiane, e cila pushtoi vendin në vitin 1941. Trupat e Djurisiçit u akuzuan si përgjegjëse për vrasjen e qindra civilëve në pjesën veriore të vendit.

“Standarde të dyfishta”

Deputeti i Frontit Demokratik Budimir Aleksiç tha se qeveria ka standarde të dyfishta mbi monumentet, duke mos reaguar kur pakicat etnike ngrenë përmendore për heronjtë e tyre, por duke mos i lejuar serbët të bëjnë të njëjtën gjë.

“Çdo gjë që duan pakicat përshëndetet nga autoritetet. Qeveria as nuk pyet nëse është ndonjë statujë për ndonjë kriminel lufte apo është ndonjë figurë polemike.  Ata i tolerojnë dëshirat e pakicave sepse janë pjesë e qeverisë,” tha Aleksiç, duke iu referuar partive të pakicave shqiptare, boshnjake dhe kroate që janë pjesë e koalicionit qeverisës të Malit të Zi.

“Nga ana tjetër, serbëve u është ndaluar ngritja e monumenteve. Çdo gjë është politike,” këmbënguli ai.

Me rreth 630,000 qytetarë, Mali i Zi është një shtet multietnik dhe asnjë nga komunitetet nuk përbën më shumë se gjysmën e popullsisë së tij.

Rreth 45 për qind e identifikojnë veten si malazezë, rreth 29 për qind si serbë dhe pesë për qind si shqiptarë. Boshnjakët dhe kroatët përbëjnë përqindje më të vogla.

Polemika mbi çështjen e monumenteve vjen pas një debati të vazhdueshëm mbi të drejtat e pakicave etnike në Mal të Zi.

Kjo u përkeqësua muajin e kaluar kur autoritetet njoftuan akuza ndaj organizatorëve të dy koncerteve të fundit për përdorimin e flamujve kombëtarë shqiptarë dhe serbë.

Ndërsa Mali i Zi nuk i ndalon pakicat kombëtare të shfaqin simbolet e tyre kombëtare, ai kërkon që ata gjithashtu të shfaqin flamurin kombëtar malazez së bashku me ta ose do të përballen me gjobë midis 100 dhe 500 eurosh.

Vitin e kaluar, një grup turistësh shqiptarë u gjobitën me 230 euro se valëvitën një flamur shqiptar në qytetin bregdetar të Budvës.