Mjekja shqiptare nga Gjermania tregon si ta menaxhojmë stresin në kohë pandemie

Aurora Meta- Dollenberg, mjeke e urgjencës dhe psikoterapisë në Gjermani, ka thënë se në këto ditë të karantinës të gjithë duhet të kujdesen për gjendjen psikike të tyre. Sipas saj, në këtë kohë kur jemi të izoluar duhet të merremi me sport por edhe të dëgjojmë muzikë dhe të merremi me art, pasi kjo do të ndikojë që mos të jemi agresivë me të tjerët.

Në një intervistë për KALLXO.com, doktoresha Meta- Dollenberg, ka treguar edhe për masat që po zbatohen në shtetin gjerman.

“Që në fillim, ndryshe nga Italia dhe Spanja, Gjermania reagoi nga ana mjekësore dhe organizatative në mënyrën e duhur. Në fillim u izoluan e gjithë popullsia gjermane, u mbyllen shkollat, çerdhet, këndet e lojërave po ashtu janë të barrikaduara edhe sot, shumica e bizneseve të vogla dhe të mesme janë shkuar në pushim”, ka thënë ajo.

“Gjermania është ndër vendet e pakëta në BE që kujdeset për shtetasit e vendeve të huaj, barabartë si të ishin nga Gjermania, komplet me të drejtat njerëzore. Ne nuk kemi të dhëna sesa shqiptarë janë të prekur me virusin, sepse këtu të dhënat nuk i ndajnë sipas etnisë, pra të gjithë prezantohen si shtetas të Gjermanisë. Në zonën ku jam unë, nuk ka shqiptarë që kanë vdekur ndërsa mund të jetë një numër rreth 200 i të prekurve me COVID-19”, tha Meta- Dollenberg.

Duke folur për rëndësinë e shëndetit psikik, ajo tha se është normale që këto ditë kemi stres për shkak të pandemisë.

Ajo ka dhënë edhe disa këshilla sesi të sillemi në kohë karantine.

“Kjo është një situatë e vështirë për të gjithë ne, jo vetëm për aspektin fizik por sidomos për atë psikik. Shëndeti psikik bën 50% të shëndetit të njeriut prandaj nuk duhet nënvlerësuar që në këto momente të gjithë shqiptarët mund të kenë makthe dhe frikë dhe kjo është normale”, deklaroi ajo.

“Do t’i këshilloja të gjithë shqiptarët që të përpiqen të vendosin të gjitha strategjitë për përballimin e krizës që posedojnë ata si individ, të kenë një komunikim sa më të mirë ndër njerëzor, brenda familjes por edhe jashtë saj, do i këshilloja shumë që të përdoronin edhe sportin, lëvizjet që të nxjerrin emocionet e agisivitetit, nervozizmit që na karakterizon të gjithëve në këtë krizë”, thotë ajo.

“Gjithashtu, i këshilloj që të merren me artin, muzikën, dicka kreative që ata i nxitë hormonet e lumturisë dhe gëzimit”, deklaroi ajo.

“Sjelljet tona duhet të përpiqemi që t’i mbajmë nën kontroll, duke u fokusuar në aspektet pozitive që i kemi ne të gjithë që i kemi pjesë e karakterit tonë e jo të tregojmë ato kthetrat, që i kemi të gjithë”, u shpreh në fund Meta- Dollenberg.

Kjo është intervista e plotë:

Këshilla: Si të sillemi në karantinë?

Këshilla: Si të sillemi në karantinë? Aurora Meta- Dollenberg- Mjeke e urgjencës dhe psikoterapisë në Gjermani

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 17 avril 2020