Miratohet në lexim të parë ligji anti COVID-19

Me 77 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në lexim të parë Ligji anti COVID-19 në Kuvendin e Kosovës.

Ky projektligj është inicuar nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani që nga muaji prill, por për javë të tëra ishte bllokuar në Kryesinë e Kuvendit nga partitë politike, përderisa vetëm në qershor u procedua për mendim në qeveri.

Kurse për në Kuvend është proceduar javën e kaluar, me 29 korrik.

Ndërsa më herët, dështoi që të futet në rend të ditës Ligji për rimëkëmbje ekonomike.

Pas dy herë votime, nuk ka kaluar propozimi që të hyjë në rend dite shqyrtimi i projektligjit për rimëkëmbje ekonomike COVID-19. Votimi i parë kishte vetëm 57 vota ndërsa i dyti vetëm 60, të pamjaftueshme për kalimin e propozimit.

Me kërkesë të deputetit, Shkelzen Hajdini, u votua për shmangien e procedurave për shqyrtimin e ligjit për rimëkëmbje ekonomike COVID-19.