Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Miratohen tri marrëveshje të nënshkruara në Samitin e Berlinit, ndër to edhe lëvizja vetëm letërnjoftime me Bosnjën

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot tri projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Samitit të Berlinit të mbajtur më 3 nëntor të vitit 2022.

Qeveria ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Albin Kurti, tregoi se çka nënkupton kjo marrëveshje.

“Përmes kësaj marrëveshje qytetarët do të lëvizin lirshëm duke përdorur vetëm letërnjoftimin, me hyrje në fuqi qytetarët e Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës do të lëvizin lirshëm”- tha ai.

Ndërsa, Qeveria ka miratuar edhe projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve, Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

Po ashtu, sot është miratuar edhe projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor.

Këto tri marrëveshje janë të nënshkruara në kuadër të Samitit të Berlinit me 3 nëntor të vitit të kaluar.

Nënshkruhen tri marrëveshje mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor